Presidenti Ilir Meta ka pritur sot në Presidencë ambasadorët e vendeve të Ballkanit, saktësisht të Greqisë, Kosovës, Kroacisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Sllovenisë për të shkëmbyer mendime dhe ide lidhur me pandemisë e koronavirusit.
U vlerësua në takim se një hapje graduale e kufijve dhe një lehtësim masash do i jepte frymëmarrje dhe impuls ekonomisë por edhe turizmit si një sektor kyç.
Po ashtu u kërkua edhe një bashkëpunim mes shteteve të Rajonit, ashtu siç i erdhën në ndihmë edhe Shqipërisë gjatë tërmetit të 26 nëntorit më 2019.
Sa i përket Samitit të Zagrebit u shprehën falenderimë ndaj Presidencës kroate në BE për mesazhet inkurajuese kurse Meta tha se Shqipëria do të mbetet e fokusuar pavarësisht pandemisë tek plotësimi i kushteve nga Këshilli Europian.
NJOFTIMI NGA PRESIDENCA
Presidenti Meta zhvillon një takim pune me Ambasadorët e Greqisë, Kosovës, Kroacisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Sllovenisë
8 maj 2020
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta zhvilloi sot një takim pune me Ambasadorët e Greqisë, Kosovës, Kroacisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Sllovenisë.
Presidenti Meta dhe Ambasadorët e vendeve të rajonit, të akredituar në Tiranë, shkëmbyen informacione dhe mendime në lidhje me situatën e pandemisë COVID-19 në secilin vend.
U vlerësua se masat e ndërmarra nga vendet tona treguan efikasitet dhe së bashku duhet tashmë të koordinojmë veprimet për të hyrë në një fazë të re të zbutjes të masave kufizuese.
Një hapje graduale dhe e kujdesshme e kufijve, si dhe lehtësimi i masave shtrënguese do t’i jepnin frymëmarrje dhe impuls ekonomisë në përgjithësi, dhe turizmit në veçanti, si një degë e rëndësishme e ekonomisë së vendeve tona.
U vlerësua gjithashtu edhe mbështetja reciproke në këtë periudhë pandemie, si dhe u shpreh mirënjohja për solidaritetin dhe asistencën e Bashkimit Europian për të gjitha vendet tona për të përballuar situatën e krijuar nga pandemia COVID-19.
Presidenti Meta theksoi se pandemia dhe tërmeti që goditi vendin tonë nëntorin e kaluar treguan sa të rëndësishme janë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë. “Fqinjët na u gjendën të parët pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit”, – theksoi Kreu i Shtetit. Ne duhet të punojmë vazhdimisht, vijoi ai, për të forcuar më tej bashkëpunimin tonë në të gjitha fushat, duke ju referuar veçanërisht bashkëpunimit në fushat e emergjencave civile.
Gjatë takimit u shprehën gjithashtu falenderime për Presidencën kroate të BE-së, për organizmin e Samitit virtual të BE-së të 6 majit dhe mesazhet inkurajuese që ai dha në drejtim të perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor.
Presidenti Meta theksoi se, pavarësisht pandemisë COVID-19, Shqipëria do të mbetet e fokusuar në plotësimin në kohë të të gjithë kushteve që Këshilli ka përcaktuar për vendin tonë për Konferencën e Parë Ndërqeveritare për çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE.