Në daljet publike së fundmi, artisti, që prej kohësh ka shfaqur edhe një tjetër profil, atë të poetit, erdhi me një rrëfim poetik në ekran, pas videos ku interpretoi vargjet e tij, titulluar “Në emër të jetës”.
Këto vargje, sikur u shpreh ai vetë, shprehin gjithë përjetimin e tij për virusin e kobshëm që gjunjëzoi njerëzimin dhe botën. Në kopshtin e shtëpisë së tij, ai reciton çfarë shkruar për veten dhe gjithë banorët e këtij globi, para një dileme të madhe ekzistencialiste, për jetë a vdekje.
“Rreken shkencëtarët, pa mundur ta ndalin. Këtë vrasës të padukshëm, tinzar e i kobshëm, komplot i fshehtë, djallëzor të jetë ky vallë, Fatalitet absurd, i përmortshëm…?!” – është një nga strofat e Timos, ku shkruan për Covid-19.
“Në emër të jetës” është poezia që shkrova në prill dhe vendosa ta interpretoja nga oborri i shtëpisë sime, për t’u transmetuar në ‘Piter Pan’”, ka thënë Timo Flloko, për “Panorama Plus”.
Ai njihet për talentin e tij të veçantë në poezi, por edhe mjaft tekste këngësh të mrekullueshme për artistë të njohur, që më pas janë kthyer në hite të padiskutueshme. Promovimi i librit të tij të dytë, “Kërcim në bosh”, ishte një takim i mrekullueshëm që bëri me miqtë, të cilët, janë fansat e vargjeve të tij. Më poshtë, sjellim vargjet e poezisë së tij “Në emër të jetës”.
Duke qenë se zotëron të dyja armët, edhe penën edhe intepretimin, shpesh e kemi parë në disa video ku reciton vargje që i shkruan vetë apo të autorëve të tjerë.
Në emër të jetës
Me lajme të trishtë vdekjesh, erren ditët,
Krah makthit, ankthit dëshpërues të netëve,
Covid – 19: Frikë e tmerr për jetën,
Për botën mbarë, për njerëzit dhe veten.
Rreken shkencëtarët, pa mundur ta ndalin,
Këtë vrasës të padukshëm, tinzar e i kobshëm,
Komplot i fshehtë, djallëzor të jetë ky, vallë,
Fatalitet absurd, i përmortshëm…?!
Apo mallkim qiellor për faje tokësore,
Për shkaqe të errëta, që s’ua gjejmë kuptimin…?
Nga erdh’ ky fat i keq e ra si kryq i tmerrshëm,
Mbi shpinë të planetit tonë, si ndëshkim?!
Pandemi e përbotshme, sa jetë po shuhen…
Përkundër vdekjes, vendosëm izolimin,
Ngujimim pa kohë, me muaj, ditë e net,
Si të vetmen udhëdalje shpëtimi…
Sado t’ia ndalësh frymën, njeriut në dobësi,
Mbyllur si në burg, t’ia privosh lirinë,
Etjen për jetë, shpresën dhe shpirtin e tij,
S’mund t’i prangosësh, t’iu vësh karantinë…
Ndale dorën vrasëse, virus i mallkuar,
Grykës i panginjur, që po na e sos durimin,
Jo mijëra… por miliona jetë sikur të marrësh,
Nuk mund ta shfarrosësh dot kurrë njerëzimin.
Nga hiri i vet mitik, do rilindë si feniksi,
Mjerë kush e shpërfill, fuqinë e të pambrojturit,
Që vdekjes i bën sfidë, e mposht a bëhet fli,
Në emër të jetës, që ia fali Zoti! (Prill, 2020 nga Timo Flloko)