UEFA nuk po mendon vetëm për sezonin aktual, ajo po vlerëson se si ta organizojë Champions dhe Europa League të sezonit të ardhshëm, kur pritet të ketë ndryshime thelbësore. Organi më i lartë i futbollit europian tashmë ka njoftuar se edicioni aktual i të dyja garave në fjalë do të përfundojë në gusht, çka e vonon fillimin e tyre për llogari të sezonit të ardhshëm deri më 20 tetor.
Duke marrë parasysh Kampionatin Europian (12 qershor deri më 12 korrik 2021), çka i kufizon jo pak kalendarët e garave të sezonit të ardhshëm, nuk do të ketë zgjidhje tjetër, përveçse të shkurtohen turnetë kontinentalë të klubeve në njëfarë mënyre.
Mënyra më e lehtë për ta bërë këtë do të ishte shkurtimi në raundet e mëparshme, raundet kualikuese. UEFA po konsideron që të gjitha raundet kualikuese, para fazës së grupeve, të jenë me një ndeshje dhe në fushë neutrale. Një tjetër mundësi është që të luhet vetëm raundi i fundit, ai i kampionëve të ligave të Europës me koecientin më të lartë.
Pjesa tjetër, nga raundet e mëparshme, do të pengoheshin të luanin në Ligën e Kampionëve, edhe pse në kthim do të duhet të kompensohen financiarisht. Problemi i vërtetë nuk është në Ligën e Kampioneve, pasi 24 nga 32 skuadrat e tij janë kualifikuar paraprakisht, por në Europa League, në të cilën vetëm 17 skuadra kanë një vend të caktuar.