MENU
klinika

Arsyet

Pandemia dhe Privatësia: Gjurmimi i koronavirusit nxit shpresë dhe frikë

24.05.2020 - 11:40

Krahas rritjes së numrit të testimeve për koronavirus, gjurmimi i kontakteve konsiderohet shumë i rëndësishëm për të frenuar shpërthimet e reja të sëmundjes, COVID-19, që shkakton ky virus, teksa masat e izolimit vazhdojnë të lehtësohen në gjithë botën.

Gjurmimi i kontakteve ka qenë ne zemër të betejës kundër sëmundjeve bartëse për dekada, duke përfshirë fruthin, HIV-in dhe Ebolan. Zhdukja e një lloji të lisë në fund të viteve 1970, dikur një prej sëmundjeve më të tmerrshme në botë, ka kërkuar një përndjekje të ashpër të kontakteve, me qëllim të identifikimit të individëve të infektuar, izolimit të tyre dhe imunizimit të komuniteteve që kanë rrezikuar prekjen nga kjo sëmundje.

Mirëpo shpejtësia e përhapjes së koronavirusit e ka bërë të vështirë gjurmimin tradicional, ku përfshihet intervistimi i pacientëve, rreth asaj se kë kanë parë dhe ku kanë qenë.

Qindra mijëra amerikanë do të punësohen në javët e ardhshme në gjithë Shtetet e Bashkuara për të krijuar një sistem të dhënash, duke intervistuar njerëzit e infektuar, për të identifikuar më pas se kush ka mundur t’i jetë ekspozuar rrezikut. Megjithatë, ekspertët shëndetësorë paralajmërojnë se shtimi i numrit të stafit nuk krijon situatë adekuate.

Për të përditësuar metodat manuale, shumë qeveri janë duke kërkuar për gjurmim automatik – kryesisht përmes aplikacioneve në telefona mobilë dhe të dhënave që lidhen me lokacionin – për të ndihmuar në identifikimin dhe njoftimin e atyre që janë në kontakt me ndonjë person të infektuar. Rezultati ka qenë valë e re e aplikacioneve të papërdorshme deri më tani të gjurmimit, me qëllim të zbulimit të ekspozimit ndaj virusit të ri.

Në shumë shtete, pjesëmarrja është vullnetare dhe individët duhet të shkarkojnë një softuer në telefonat e tyre. Mirëpo për të qenë të efektshëm, aty kërkohet që ofruesit e këtyre aplikacioneve të sigurojnë se autoritetet qeveritare nuk do të keqpërdorin informacionet personale që mblidhen nga aktiviteti i përditshëm i individëve.

Kritikët kanë thënë se shumica e aplikacioneve të automatizuara, kanë mungesë të transparencës dhe nuk kanë kufizime për mbledhjen dhe përdorimin e të dhënave. Disa aplikacione të gjurmimit janë tejet të përhapura dhe pushtuese – çka rrit shqetësimet për të drejtat e privatësisë, qasjes qeveritare dhe sigurisë personale.

Organizata ndërkombëtare Human Rights Watch (HRW), ka paralajmëruar se “në duart e qeverive, që veçse aplikojnë praktika të ndërhyrjes sikur Kina dhe Rusia, kjo situatë mund të shtojë diskriminimin dhe shtypjen”.

Në shkallë globale, mungesa e uniformitetit në mesin e aplikacioneve të automatizuara për gjurmim, krijon probleme edhe për shkencëtarët që tentojnë të mbledhin të dhëna të ndryshme, në formate të ndryshme nga shteti në shtet. Revista, MIT Technology Review ka publikuar një databazë për gjurmim të këtyre aplikacioneve. Aty përfshihen 25 sisteme të njohura në gjithë botën.

Të dhënat rreth lokacionit

Sipas kësaj reviste, programet e gjurmimit që shfrytëzojnë të dhënat rreth lokacionit nga telefonat mobilë, janë më të ashprat. Mbrojtësit e të drejtave të njeriut paralajmërojnë se të njëjtat, u ofrojnë qeverive qasje në informacione personale, të cilat mund të keqpërdoren për qëllime tjera përveç luftimit të pandemisë.

Hulumtuesja për të drejta digjitale në Human Rights Watch, Deborah Brown ka thënë se programet e gjurmimit, të përdorura nga qeveritë “përbëjnë rrezik serioz për të drejtat e njeriut”. “Njerëzve është duke u kërkuar që të sakrifikojnë privatësinë e tyre dhe t’i dorëzojnë të dhënat për përdorim nga teknologji të patestuara”, ka thënë Brown. “Ndalja e pandemisë dhe rihapja e shoqërisë janë synime themelore, mirëpo ne mund ta bëjmë këtë gjë edhe pa vëzhgim të ashpër”, ka thënë mes tjerash ajo.

Kina, Irani dhe Rusia janë në krye të listës

Sistemi i Kinës është përdorur nga policia lokale për të vëzhguar ata persona që shkelin rregullat e karantinës. Ky sistem mbledh një varg të dhënash, duke përfshirë identitetin e qytetarëve, lokacionet e tyre dhe historinë e pagesave të tyre online. Kur Irani ka lansuar aplikacionin e tij zyrtar të gjurmimit për koronavirus në muajin mars, AC19, disa përdorues kanë akuzuar Qeverinë iraniane se po përdorë softuerë për të spiunuar qytetarët – përmes mbledhjes së numrave të telefonit, të dhënave për vendndodhjen dhe informacione tjera personale.

kolana e librave

Disidentët iranianë tërheqin vërejtjen se aplikacioni mund t’iu lejojë agjencive iraniane të inteligjencës që të instalojnë virus nëpër telefonat e miliona qytetarëve më vonë, përmes një përditësimi automatik.

Dyshimet për aplikacionin iranian janë shtuar nga fakti se prodhuesi i tij, Smart Land Strategy, që ka krijuar edhe dy aplikacione identike me Telegramin, është akuzuar për mbledhje sekrete të të dhënave për agjenci iraniane të inteligjencës. Ministria iraniane e Shëndetësisë u ka dërguar një mesazh iranianëve, duke iu bërë thirrje që të instalojnë aplikacionin AC19, duke e shkarkuar atë nga faqja zyrtare e gjigantit Google, Play Store, apo platforma tjera të palëve të treta.

Shumica e iranianëve kanë vepruar ashtu. Më pas, më 9 mars, Google ka larguar këtë aplikacion nga platforma e saj – ashtu sikurse ka bërë për aplikacionet tjera iraniane, të krijuara nga kompania, Smart Land Strategy. Në Rusi, një sistem i gjurmimit të të dhënave është zbatuar “në nivel federal”, i cili punon “përmes rrjeteve të operatorëve telefonikë dhe sistemeve të tyre të lokacionit”, ka thënë Olga Chislova, hulumtuese për kompaninë ndërkombëtare ligjore, Freshfields-Bruckhaus-Deringer.

Përveç kësaj, për të njoftuar ata që kanë qenë në kontakt me një person që testohet pozitiv me koronavirus, Chislova ka thënë se informacioni dërgohet në qendrën rajonale për përgjigje emergjente në Rusi. Ndërkohë, pacientëve që qëndrojnë në shtëpi në Moskë, u kërkohet të instalojnë në telefonat e tyre një aplikacion për “monitorim shoqëror”.

Përmes mbledhjes së informacioneve në një databazë qendrore, ky aplikacion i ofron Qeverisë ruse qasje në thirrjet, vendndodhjen, kamerën dhe informacione të rrjetit të të gjithë përdoruesve. Privacy International ka thënë se aplikacionet që lidhen me të dhëna për vendndodhje mund të keqpërdoren nga qeveritë si “mjet për kontrollim shoqëror”, që analizon “lëvizjet e miliona personave”. Sipas saj, kthimi i banorëve në subjekte të tilla të “vëzhgimit të panevojshëm”, mund të ndikojë që njerëzit të humbin besimin në qeveri dhe autoritetet shëndetësore.

Gjurmimi në afërsi

Mbrojtësit e të dhënave të konsumatorëve thonë se aplikacionet për “gjurmim në afërsi” janë më pak të rrezikshme sesa aplikacionet për vendndodhje, të shfrytëzuara nga Rusia, Irani dhe Kina. Ata argumentojnë se ky proces mund të decentralizohet, duke eliminuar të dhënat në ndonjë databazë, që mund të keqpërdoren nga agjenci të inteligjencës, sundimit të ligjit apo për qëllime komerciale të marketingut.

Një mundësi është përmes protokollit për gjurmim me Bluetooth, i njohur si DP-3T, shkurtesë për Gjurmim i Decentralizuar në Afërsi për Ruajtje të Privatësisë.

Telefonat me aplikacione të tilla në afërsi, shfrytëzojnë valët e shkurtra me Bluetooth për të kryer një lidhje, përmes së cilës shkëmbehen tokenët e cilit telefon që ka aplikacionin në afërsi. Sipas mënyrës, DP-3T, qasjet ruhen në telefona të mençur dhe jo në databazë qendrore.

Kur një person rezulton pozitiv me koronavirus, alarmet dërgohen automatikisht, në mënyrë anonime te personat me token të përbashkët. Si Apple, ashtu edhe Google, kanë punuar së bashku për të përfshirë softuerë të gjurmimit të tillë në telefonat e tyre të tipit, iPhone dhe Android.

Ata kanë krijuar së bashku një aplikacion që u lejon telefonave të mençur të shkëmbejnë të dhëna nga njëri-tjetri. Deri më tani, përdoruesit mund të instalojnë në baza vullnetarë këtë softuer, bashkë me aplikacionet tjera të krijuara nga autoritetet shëndetësore, në shtetet që përdorin aplikacionin për shkëmbim të të dhënave.

Në të ardhmen, Apple dhe Google kanë thënë se planifikojnë të instalojnë softuerin në mënyrë automatike përmes përditësimeve të rregullta. Në teori, ky veprim mund të instalojë softuerin në 99 për qind të telefonave të mençur.

Mirëpo jo të gjitha shtetet janë pajtuar me këtë gjë. Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar kanë kundërshtuar këtë aplikacion, duke thënë se nuk i dërgon të gjitha të dhënat në një databazë të centralizuar. Kjo situatë ndesh qeveritë në fjalë me zyrtarët e Bashkimit Evropian në Bruksel, të cilët kanë ngritur shqetësime rreth kërcënimeve për ekspozim të privatësisë individuale nga teknologji për gjurmim të kontakteve. Komisioni Evropian insiston që aplikacionet e përditësuara nga vendet anëtare për gjurmim të kontakteve, duhet të jenë në përputhje me rregullat e BE-së për mbrojtje të privatësisë individuale, duke përfshirë Rregulloren e Përgjithshme për Mbrojtje të të Dhënave dhe Direktivën Evropiane për Mbrojtje të të Dhënave.

“Besimi i evropianëve do të jetë çelës për aplikacionet e gjurmimit të telefonave”, ka thënë Vera Jourova, nënpresidente e Komisionit për Vlera dhe Transparencë. “Respektimi i rregullave të BE-së për mbrojtje të të dhënave, do të ndihmojë të sigurohemi që privatësia dhe të drejtat tona themelore do të mbrohen dhe se qasja evropiane do të jetë transparente dhe proporcionale”, ka thënë Juourova. /RadioEvropaLirë