MENU
klinika

Qëllimet e superfuqisë

Pse Kina po sillet ndryshe me Evropën?

08.05.2020 - 16:14

Në luftën kundër pandemisë koronavirus, Evropa është bërë një fushë beteje e papritur për një lloj tjetër kërcënimi: një luftë propagandistike.

Pekini po përpiqet të ndryshojë narracionin, dhe vazhdon përpjekjet për të ndikuar në mënyrën se si evropianët mendojnë dhe flasin për Kinën dhe pandeminë.

Sigurisht, taktikat e frikësimit nuk janë mjete të reja të politikës së jashtme të Kinës.

Norvegjia u fut në “ngrirjen” diplomatike për vite të tëra pasi komiteti i Nobelit i dha Liu Xiaobo çmimin Nobel për Paqen; Suedia po merret me një ambasador kinez sepse ai duket se po përpiqet qëllimisht të prishë marrëdhëniet; dhe Estonia është përballur me një presion të konsiderueshëm për të ndryshuar një raport inteligjence që paralajmëronte për ndikimin në rritje të Kinës.

Evropa është, në një farë mënyre, një objektiv i pamundur

Sidoqoftë, nga fillimi i pandemisë, Pekini ka shtuar përpjekjet që të vendosë një standard të ri në shkallën dhe kohën e duhur. Diplomatët kinezë kanë përhapur pretendime se virusi e ka origjinën në Itali dhe u përpoqën të bëjnë që politikëbërësit gjermanë të “duartrokasin” menaxhimin e krizës në Kinë. Në Francë, diplomatët kinezë “janë tallur” me aftësinë e demokracive liberale për t’iu përgjigjur krizës.

Përpjekja e Pekinit për të bërë presion ndaj Shërbimit të Veprimit të Jashtëm Evropian për të zhdukur një raport që tregon qartë aktivitetet kineze të ndikimit ishte një nga të fundit, por sigurisht jo i fundit, në një seri sulmesh ndaj BE-së.

Evropa është, në një farë mënyre, një objektiv i pamundur. Për dallim nga Shtetet e Bashkuara, udhëheqësit atje nuk e fajësuan Pekinin për trajtimin e saj të urgjencës shëndetësore në fillimin e krizës. Evropianët gjithashtu vazhdimisht flasin për problemet më të diskutueshme në mënyrë që të mbajnë gjallë bashkëpunimin për ndryshimin e klimës dhe multilateralizmin, por edhe për të shmangur problemet madhore në marrëdhëniet ekonomike.

Pra, pse po e bën Pekini këtë? Është pak e vështirë të kuptosh arsyet specifike që fshihen pas vendimmarrjes së Kinës, ekzistojnë të paktën tre mundësi.

Panik

Udhëheqja e Partisë Komuniste është përballur me kritika për trajtimin e saj të pandemisë, dhe është gjithnjë e më shumë nervoze për pasojat e brendshme dhe ndikimin e mundshëm ekonomik.

Siç argumentoi autori disident kinez Ma Jian në shkurt, Presidenti Xi Jinping po ndjek traditën e partisë për të “varrosur” të vërtetën për të forcuar udhëheqjen e saj. Por kur virusi u përhap në të gjithë botën, “varrosja e së vërtetës” u bë më e vështirë. Për të demonstruar epërsinë e sistemit të tij, Pekini përdori taktikat e brendshme edhe në arenën globale.

Zemërim

Mundësia e dytë është që udhëheqja kineze është e zemëruar, veçanërisht për mënyrën se si Shtetet e Bashkuara po përpiqen të fajësojnë Pekinin për virusin. Edhe para pandemisë, beteja midis SHBA dhe Kinës vazhdonte. Udhëheqja kineze, e shqetësuar se Uashingtoni po kërkon të shfrytëzojë një moment dobësie, mund të ketë vendosur të sulmojë në mënyrë aktive SHBA-në dhe aleatët e saj.

Evropa, në këtë  luftë, nuk do të jetë neutrale, sipas Pekinit, por domosdoshmërisht do të jetë në anën e Uashingtonit.

Kalkulimet

Mundësia e fundit është që Pekini thjesht po ndërmerr një rrezik të mirëllogaritur. Ky mund të jetë një veprim strategjik dhe i qëllimshëm për të detyruar Evropën të bjerë dakord me të në një kohë kur ka pak unitet dhe shumë nervozizëm midis vendeve të BE-së.

Kjo mund të shpjegojë përpjekjet fillestare të Pekinit për të ndihmuar vendet më të prekura nga virusi, siç është Italia, duke dërguar maska ​​për fytyrën dhe mjete të tjera mjekësore.

Kjo strategji mbështetet në supozimin se kohërat kanë ndryshuar dhe se Evropa ka nevojë për Kinën më shumë sesa Kina i duhet Evropës, veçanërisht kur bëhet fjalë për rimëkëmbjen e saj ekonomike pas krizës.

Të gjitha më sipër

Shpjegimi më i mundshëm është se një shkallë e kufizuar paniku, një dozë zemërimi dhe dëshira për të shfrytëzuar sa më shumë mundësitë strategjike, janë duke ndikuar në qasjen aktuale të Pekinit.

Çfarë është e paqartë, megjithatë, është nëse kjo është e përkohshme apo është pjesë e “normales së re” që e pret Evropën në të ardhmen.

Përkthyer dhe përshtatur nga Politico.com/ Konica.al