Sindikata e policisë kundërshton ligjin për trajtimin financiar të policëve mbi 55 vjeç. Sindikata e Punonjësve të Policisë së Shtetit i ka dërguar një letër Kuvendit ku deklarojnë se nuk është marrë mendimi i tyre për hartimin e projektligjit ndërsa kërkojnë disa ndryshime.
Sindikata kundërshton përcaktimin që punonjësi i policisë që me këtë ligj del në pension të ketë detyrimin të kryejë 700 orë punë dhe pikën tjetër që i jep të drejtën një titullari pra drejtuesit të institucionit që të ketë vendimmarrje për të nxjerrë në pension një vartës mbi 55 vjeç.
LETRA
Projektligji “Për trajtimin Financiar të Punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Brendshme pas ndërprerjes së marrëdhënieve të punës’, që ka kaluar nga komisioni parlamentar i sigurisë, për mendimin tonë si Sindikatë e punonjësve të Policisë së Shtetit, është paraqitur pranë jush, për ta kaluar në seancë plenare me disa shkelje si Kushtetuese ashtu dhe ligjore, si më poshtë:
Sindikata e Punonjësve të Policisë së Shtetit, si përfaqësuese e vetme e punëmarrësve në Policinë e Shtetit, me statusin e drejtpërdrejtë të grupit të interesit, nuk i është marrë asnjë mendim për këtë projektligj dhe dijeni kemi marrë vetëm me publikimin e tij në faqen zyrtare të qeverisë.
Z.Kryetar;
Duke parë pamundësinë tonë për të ndikuar sado pak në hartimin e ndryshimin e këtij projektligji kërkojmë:
a) Heqjen e pikës 1 e2 të nenit 7, të Projektligjit, ku shkruhet;
‘Detyrimet e përfituesit, sipas këtij ligji’, se:
“Punonjësit e Policisë…kanë detyrimin të aktivizohen në shërbim deri në 700 orë në vit dhe gjatë kësaj periudhe, kanë të njëjta të drejta e detyrime si punonjësit e tjerë të shërbimit përkatës, me përjashtim të trajtimit financiar”, ndërsa;
Pika 2 e këtij neni, shpreh se ‘Mosplotësimi i detyrimit të këtij neni është shkak për ndërprerjen e trajtimit financiar sipas këtij ligji’?!
Projektligji po u miratua ashtu siç ka kaluar i miratuar nga Komisioni Parlamentar i Sigurisë, shkel haptazi nenin 26 të Kushtetutës, Kreu II, Liritë dhe të Drejtat Vetjake, ku thuhet se: “Askujt nuk mund t’i kërkohet të kryejë një punë të detyruar, përveçse në rastet e ekzekutimit të një vendimi gjyqësor,….”
Zoti Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, ç’faj kanë bërë punonjësit e policisë që qeveria dhe parlamenti kërkojnë t’i dënojnë me ligj, me punë të detyruar….?! për shkak se kanë mbushur moshën 55 vjeç dhe kanë 30 vite karrierë në polici?!
Pika 2 e nenit 46, i ligjit 108/2014, i ka të përcaktuara qartë rastet kur punonjësi i policisë ndërpret marrëdhëniet e punës.
Neni 46,
Ndërprerja e marrëdhënieve të punës;
Pika 2; -Punonjësi i policisë lirohet nga policia në rastet kur;
a) mbush moshën për pension pleqërie;
b) deklarohet i paaftë për punë nga komisioni kompetent mjekësor, sipas ligjit;
c) kërkon vet të lirohet;
d) shkurtohet funksioni në kuadër të pakësimit të limitit të përgjithshëm organik të policisë;
c) konstatohet pavlefshmëria e aktit administrativ të pranimit…etj.
Nga pika 4 e nenit 4;- ‘Kriteret e përfitimit të trajtimit financiar’,
-Trajtimi financiar përfitohet, me kërkesë të punonjësit, ‘ose me kërkesë të titullarit të institucionit përkatës’.
b)-Të hiqet togfjalëshi ‘ose me kërkesë të titullarit të institucionit përkatës’.
Në mundet në asnjë rast që një punonjës policie të ndërpresë marrëdhëniet e punës me kërkesë të titullarit të institucionit pa shkaqe ligjore?!
Nuk mund ta besojmë që parlamenti mund të kalojë një shkelje të tillë, duke i dhënë një eprori të një institucioni një kompetencë të tillë, në shkelje të të drejtave, për t’i ndërprerë karrierën punonjësit të tij “Për çfarëdolloj arsye”, pa përmbushur kriteret e nenit 46 të ligjit të Policisë së Shtetit.
Punonjësit e policisë, ‘nuk mund të jenë pronë e titullarit’, ‘eprorit’, që mund t’i largojë kur të dojë ai nga puna, me një kërkesë të tij, duke ia ndërprerë karrierën 10 vjet para kohe?!