Ditën e sotme, Gjykata e Strasburgut shpalli një vendim historik, që do të ketë implikime afatgjata rreth trajtimit dhe kompensimit të ish-pronarëve në Shqipëri.
Duke vlerësuar se skema aktuale e kompensimit të ish-pronarëve në vendin tonë është një skemë efikase në trajtimin e këtij problemi akut, Strasburgu rrëzoi padinë e njohur si Beshiri K. dhe 11 të tjerë kundër Shqipërisë.
Kalvari ligjor, i nisur nga pala paditëse që në vitin 2006, me vendimin nr. 29026/06 kërkonte që Stasburgu të përcaktonte një vlerë kompensimi monetar, mbi pretendimin e mosekzekutimit të tejzgjatur të vendimeve përfundimtare që kanë njohur të drejtën e kompensimit për pronat e shpronësuara gjatë periudhës komuniste.
Në vendimin e çështjes në fjalë, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, njëzëri, i ka deklaruar kërkesat të papranueshme sepse sipas saj, skema e cila ka hyrë në fuqi me anë të Ligjit për Trajtimin e Pronës të vitit 2005 është një skemë e përshtatshme për zgjidhjen e brendshme të këtyre ankesave.
Ligji në fjalë u aprovua si një përgjigje ndaj vendimit pilot të Strasburgut, në çështjen Manushaqe Puto e të tjerë kundër Shqipërisë, shpallur në vitin 2012.
Në çështjen e Putos vendimi kishte konstatuar shkelje të nenit 6 § 1 (e drejta për një proces të rregullt), nenit
1 të Protokollit Nr. 1 (mbrojtja e pronës) të Konventës dhe nenit 13 (e drejta për zgjidhje efektive) të Konventës dhe kishte bërë rekomandime të përgjithshme mbi hapat që duhet të merreshin në lidhje me problemin në fjalë i cili ekzistonte prej kohësh dhe që kishte rezultuar në regjistrimin e shumë çështjeve të ngjashme në Strasburg.
Gjykata arriti në përfundimin se skema e ofruar me Ligjin për Trajtimin e Pronës ishte një mjet ligjor efektiv i cili duhej shteruar nga kërkuesit, edhe pse kërkesat e tyre ishin regjistruar shumë kohë përpara hyrjes në fuqi të ligjit.
Kërkesat u deklaruan të papranueshme për mosshterim të mjeteve të brendshme, ose si të parakohshme, ose sepse kërkuesit nuk gëzonin më cilësinë e viktimës për shkelje të të drejtave të tyre. Gjykata shtoi një kusht kyç: ajo çmoi se, në disa raste, vlerësimi i pronave sipas Ligjit për Trajtimin e Pronës mund të rezultonte në nivele shumë më të ulëta të kompensimit (për disa ish-pronarë) në krahasim me legjislacionin e mëparshëm.
Për të shmangur një barrë ekstreme mbi këtë kategori të ish-pronarëve, kompensimi sipas skemës së re duhet të jetë jo më pak se 10% e vlerës së pronës që ish-pronarët do të përfitonin nëse vlerësimi financiar do të llogaritej mbi bazën e zërit kadastral aktual të pronës së shpronësuar.
Në praktikë, një vendim i tillë i Strasburgut do të thotë se mbase për herë të parë në historinë e demokracisë, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut njeh se Shqipëria ka një kuadër të përshtatshëm ligjor, si dhe aftësi të përshtatshme kompensuese, për rreth 25 mijë dosje ende të pazgjidhura.
Gjithashtu, me këtë vendim, Gjykata vlerëson se qeveria ka vënë në dispozicion burime të konsiderueshme për Fondin e Kompensimit, i cili është krijuar dhe jep kompensim për ish-pronarët.