MENU
klinika

"Rritja” e punës për vaksinat dhe trajtimet

Udhëheqësit global premtojnë mld dollarë në Samitin Virtual

05.05.2020 - 10:32

Aleanca e udhëheqësve botërorë mbajti një samit virtual, të hënën, me qëllim mbledhjen e miliarda dollarëve për të financuar hulumtimet për një vaksinë për koronavirusin, si dhe për të zhvilluar trajtime të reja dhe testime më të mira.

Komisioni Europian organizoi dhe priti veprimtarinë nga selia e tij në Bruksel, ndërsa liderët global të thirrur nga e gjithë bota morën pjesë online. Presidenti i Komisionit Ursula von der Leyen tha se bota duhet të bashkojë burimet e saja për të filluar punën për vaksinat, diagnostikimin dhe trajtimet kundër koronavirusit.

Ajo tha se qëllimi i parë ishte mbledhja e një shume fillestare prej 8 miliardë dollarë që do të ndihmonte “në rritjen” e punës për vaksinat dhe trajtimet.

Kancelarja Angela Merkel u zotua për 573 milion dollarë, duke thënë se samiti virtual dërgoi një “sinjal shprese” dhe duke thënë se pandemia ishte një “sfidë globale që kërkonte zgjidhje globale.”

Kryeministri britanik Boris Johnson, vetë i mbijetuar nga COVID, njoftoi premtimin e Britanisë prej 482 milion dollarë dhe u kujtoi liderëve se Britania do të presë një samit tjetër në një muaj në emër të Aleancës Globale për Vaksina dhe Imunizime (GAVI).

Kryeministri japonez, Shinzo Abe, tha se vendi do të bënte një investim total prej afro 834 milion dollarë për të luftuar virusin brenda dhe jashtë vendit. Kanadaja, Franca, India, Izraeli dhe Spanja ishin ndër kombet e tjera që u zotuan për përpjekjet.

Njerëzit në shumë vende të globit, dhe veçanërisht në Europë këtë javë, po kthehen me kujdes në punë, por autoritetet mbeten të kujdesshëm për një valë të dytë të infeksioneve, dhe një vaksinë është i vetmi plumb i artë i vërtetë për të lejuar që diçka si jeta normale të rifillojë.(VOA)