Piloti gjerman Sebastian Vettel ka marrë një ofertë të përjetshme nga Ferrari. Kjo kontratë është për të punuar edhe pasi të largohet si pilot aktiv në Formula 1. Kontrata e 4 herë kampionit të botës skadon në fund të këtij viti dhe e ardhmja e tij është ende e paqartë.
“Vettel ka marrë një ofertë të përjetshme nga Ferrari, por me një ulje drastike të rrogës. Jo vetëm kaq, por ai nuk do të ketë më rolin e “numrit 1” te skuadra italiane. Kjo është një kontratë që vështirë se Vettel do ta firmosë, ndaj mund të largohet” – shkruan “Sky Sports”.
Gjithashtu, Vettel ka edhe dy opsione të tjera për të ardhmen. E para, është rinovimi me një vit i kontratës, ku do të paguhet 12 milionë euro. Edhe kjo ofertë nuk pëlqehet nga gjermani. Ndërsa opsioni i dytë është ai i shkëmbimit me Carlos Sainz, që aktualisht piloton makinën McLaren. Pra, shtohen zërat që Vettel të shkojë te makina McLaren në vitin 2021.
Sa i përket këtij sezoni, Vettel ka deklaruar se do të mjaftonin edhe 10 gara që sezoni të quhej i rregullt, madje ndonjë pistë mund të përdoret për dy gara. Një propozim që ka hasur kundërshti nga pilotët e rinj, pasi kjo sipas tyre favorizon pilotët me eksperiencë, të cilët njohin mirë pistat.