MENU
klinika

75-vjetori i partisë së saj

Askush s’do të jetë aq i suksesshëm sa Merkel…

22.06.2020 - 13:54

Në 75-vjetorin e CDU-së, ish-Presidenti i Bundestagut, Norbert Lammert vlerëson anët e forta të kancelarëve gjermanë nga radhët e kësaj partie: Konrad Adenauer, Helmut Kohl dhe Angela Merkel.

CDU-ja, Bashkimi Kristjandemokrat Gjerman, mbush në 26 qershor 75 vjet nga dita e themelimit të saj. Grupimet e para kristjandemokrate në Gjermani u krijuan vetëm pak javë pas fundit të Luftës së Dytë Botërore. Më vonë ato u bashkuan në Bashkimin Kristjandemokrat. Objektivi që i vuri vetes partia e re qe garantimi i dinjitetit dhe i lirisë së secilit, mbi bazën e konceptit kristjan për njeriun.

Deri në fundin e Luftës së Dytë Botërore në Gjermani partitë organizoheshin kryesisht përgjatë kufijve konfesionalë ose shtresave sociale. Katolikët p.sh. kishin partinë e tyre, Partinë e Qendrës (Zentrum-Partei). Themelimi i CDU-së ndikoi që kufijtë konfesionalë e socialë të kapërcehen. Si parti popullore tek CDU-në e konsiderojnë të tyre një shumëllojshmëri idesh. Kjo i mundëson kësaj partie, që të reagojë me sukses ndaj sfidave të kohës, duke mbetur partia që e ka qeverisur më gjatë Gjermaninë e pas Luftës së Dytë Botërore.

Në 75 vjetorin e CDU-së, revista e njohur “Der Spiegel” i kërkoi një vlerësim për sfidat e sotme për këtë parti dhe për Gjermaninë njërit nga figurat e shquara të kësaj partie, ish-Presidentit të Bundestagut, Norbert Lammert. Norbert Lammert ishte për tre mandate, nga viti 2005-2017 President i Bundestagut Gjerman dhe për 37 vjet rresht deputet i Bundestagut. Sot ai i drejton Fondacionin “Konrad-Adenauer”, të afërt me CDU.

“Marrëdhëniet me SHBA të rrezikuara shumë në aspektin operacional”

Pyetjes së redaktorëve se a sheh ai të rrezikuar nga Donald Trumpi në thelb konceptin e Konrad Adenauerit, bashkëthemelues i CDU-së, për integrimin e dyfishtë në Perëndim të Gjermanisë, përmes lidhjes me Francën dhe me SHBA, Lammerti i përgjigjet se “shpreson që ky rrezikim të mos jetë në substancë”. Por ai pranon se marrëdhëniet me SHBA janë të rrezikuara “rëndë” “në aspektin e atmosferës” dhe “gjithnjë e më shumë në aspektin operacional”

Norber Lammerti mendon se “do të jetë e vështirë që marrëdhëniet të kthehen në status quo-në e mëparshme pas Trumpit”. Kjo në një kohë kur “lidhja me Francën dhe me këtë brenda Evropës dhe nga ana tjetër me Uashingtonin nuk ka alternative (tjetër) serioze”.

Njëkohësisht ai kujton se “integrimi evropian është në interesin e vetë Gjermanisë” dhe se “e vetme Evropa është shumë e dobët në shkallë globale”. Lammert nuk sheh “përveç SHBA””ndonjë fuqi të madhe ndërkombëtare që i afrohet aq shumë vlerave tona”.

 Helmut Kohl (1989)

“Kohl – një rast fatlum për Gjermaninë në një situatë konkrete historike”

Më pas, Norbert Lammert ndalet në tri kryetarët e CDU-së, që qëndruan për periudha afatgjata rekord në postin e kancelarit: Konrad Adenauer, Helmut Kohl dhe Angela Merkel.

Për Helmut Kohlin, Lammert vlerëson që “Kohl-i ishte në një mënyrë të ngjashme një rast fatlum për Gjermaninë në një situatë konkrete historike, siç ishte Adenaueri pas Luftës së Dytë Botërore. Fuqia më e madhe e Kohlit ishte aftësia për të ngjallur besim te personi i tij.”

Lidhur me planin dhjetëpikësh për ribashkimin e Gjermanisë, që Helmut Kohli e prezantoi në vitin 1989, në Bundestag, Lammerti thotë se me të “ai i befasoi të gjithë”, madje edhe Presidentin e atëhershëm amerikan Georg Bush. Por megjithë këtë rrethanë, fuqitë fituese të Luftës së Dytë Botërore nuk e flakën tej këtë plan, sepse ai që e kishte prezantuar planin “ishte Kohl-i, atij mund t’i besoje”.

Kohli, thotë Lammert, kishte fituar “një potencial të jashtëzakonshëm besimi tek vendet fqinje dhe në botë”, “përmes rolit të tij të jashtëzakonshëm, jo ​​rrallëherë bujar në procesin e integrimit evropian”. Kjo bëri të mundur që “në qendër të Evropës” “të ekzistonte sërish një Gjermani e fortë, e bashkuar”.

Angela Merkel bën betimin si kancelare (2005)

“Merkeli i ka polarizuar më pak njerëzit se paardhësit e saj”

I pyetur për vendin që zë Angela Merkel si kancelare, krahasuar me Adenauerin dhe Kohlin, Norbert Lammert thotë se secili nga ata e kishte drejtuar për gati dy dekada Gjermaninë.

Për Merkeli ai thotë se ka ende zhvillime që mund të ndodhin, prandaj “unë vetëm mund të spekuloj për këtë.” Por ai megjithatë beson se “popullariteti i saj do t’i lërë pas paraardhësit e saj”.

Këtë Lammerti e argumenton me faktin që Merkeli i ka polarizuar më pak njerëzit se paardhësit e saj të përmendur. Dhe i ka shtuar shumë vota nga drejtime të ndryshme politike CDU-së.

“Sepse Merkeli ka polarizuar më pak se të gjithë paraardhësit e saj”. “Mendoni për krizën e refugjatëve! Ajo impresionoi njerëz që ndryshe nuk do të kishin votuar kurrë për CDU-në, përfshirë intelektualë dhe artistë.”

Suksesin e madh të Merkelit, edhe në krahasim me parardhësit, Norbert Lammert-i e lidh edhe me stilin e saj të drejtimit.

“Për shkak të mënyrës së saj pa pretendime të drejtimit të postit, të orientuar te detyra, me sa më pak mendjemadhësi që të jetë e mundur; pa interes për të pasur ndonjë përfitim, apo për ndonjë inskenim protokollar”, konkludon Norbert Lammert.

Auron Dodi, DW

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Gjermania, qendra e Bashkimit Europian"

Evropa në duart e pasardhësve të Merkelit…

Joschka Fischer/ Project Syndicate

Lamtumira e Angela Merkelit