Një vepër e artistit britanik, Banksy, që ishte vjedhur në vitin e kaluar nga një sallë koncertesh në Bataclan, Paris, është gjetur nga policia, në Italinë qendrore.
Vepra, që paraqiste një grua të re të pikëlluar, ishte pikturuar në nderim të viktimave të sulmit terrorist në këtë sallë, më 2015, sipas BBC. Ishte prerë dhe hequr në njërën prej dyerve emergjente të Bataclan-it.
Sikurse raporton “La Repubblica’, kjo vepër është gjetur në një fermë, në zonën e Abruzzo-s. Avokati i distriktit të qytetit italian L’Aquila, Michele Renzo, ka treguar sesi është gjetur vepra.
“Vepra u bë e mundur të gjendej pas hetimeve të kryera nga prokurori i distriktit në bashkëpunim me policinë dhe gjyqësorin francez”, – ka thënë Renzo. Murali ishte vjedhur në janarin e vitit 2019.
Pasi ishte vjedhur, salla në Bataclan, kishte shkruar në një postim në Twitter: “sot jemi thellësisht të indinjuar. Vepra e Banksy-t, simbol i kujtesës që na përkiste të gjithëve – vendasve, parizienëve, qytetarëve të botës – ishte grabitur nga këtu”.
Pritet të mbahet një konferencë për mediet, ku do të japen të tjera detaje sesi u gjet ky grafit, me autorësi nga Banksy.
Në sulmin terrorist në Bataclan, të nëntorit të vitit 2015, kishin mbetur të vdekur 90 persona, gjatë një koncerti të grupit të rokut, “Eagles Of Death Metal”.