MENU
klinika

Skandali në Bylis

Ceka, ministres Margariti: Përse i mbron shkatërrimtarët?

12.06.2020 - 19:12

        Forumi për Mbrojtën e Trashëgimisë ka denoncuar një tjetër rast të shkatërrimit të monumenteve të kulturës në vendin tonë. Kësaj here, dy kolona në Parkun e Apollonisë – Bylis janë dëmtuar. Për këtë, arkeologu Neritan Ceka i drejtohet ministres së Kulturës, Elva Margariti, me pyetjen: Përse i mbron shkatërrimtarët e pasurive të rralla në vendin tonë?/Konica.al


Kjo kolonë e Nymfeut të Apollonisë, një monument unik i shek. III p.e.s, është vandalizuar dy muaj më parë dhe është rrëzuar në këtë gjendje, vetëm 200 metra larg zyrave të drejtorisë së parkut. Që prej këtij momenti drejtuesit e Parkut të Apollonisë dhe Bylisit, jo vetëm që nuk kanë marrë asnjë masë për ta vendosur në mbrojtje të mëtejshme kolonën, por mësohet se nuk kanë njoftuar as policinë dhe mbajtur një procesverbal për dëmtimin. Për më tepër ata nuk kanë vënë në dijeni as Institutin e Arkeologjisë për këtë dëmtim. Të gjithë këto veprime të bëjnë të dyshosh se çështja është tentuar të mbahet e fshehtë për institucionet dhe publikun. Ministria e Kulturës dhe znj. Elva Margariti duhet të përgjigjet publikisht nëse ka dijeni edhe ajo, për këtë krim dhe çfarë masash do të marrë?

Prof. Neritan Ceka: “Zonja ministre e Kulturës, këtë monument të shkatërruar barbarisht 200 metra nga zyra e drejtoreshës së Parkut Apolloni – Bylis, e ka zbuluar miku i gjyshit tuaj, Hasan Ceka, të cilin e kam asistuar unë deri në zbulimin e plotë, dhe e ka restauruar Koço Zheku i Institutit të Monumenteve. Është i vetmi monument i këtij lloji në botën antike. Më thoni tani se me çfarë gjuhe duhet të flas me ronxho bonxhot që menaxhojnë këtë pasuri, që arkeologët shqiptarë e krijuan me aq mund për 50 vjet. Mund të më thoni perse nuk u rrethua monumenti me ato 800.000 eurot që shpenzuat ne Apolloni? Akoma do vazhdoni t’i mbroni këta shkatërrimtarë? Me shumë keqardhje dhe revoltë”.

Ndërsa ka reaguar edhe Zyra e Administrimit dhe Koordinimit të Parqeve Arkeologjike Apoloni dhe Bylis.

“Zyra e Administrimit dhe Koordinimit të Parqeve Arkeologjike Apoloni dhe Bylis është vënë këto ditë, në qendër të një vale sulmi, të pambështetur në fakte, në lidhje me dëmtimin e një prej monumenteve të Parkut Arkeologjik Kombëtar të Apolonisë.Përgjegjës përpara opinionit publik dhe taksapaguesit shqiptar, sqarojmë: Dy kolona të fasadës së fontanës monumentale të Apolonisë janë, fatkeqësisht, dëmtuar dy muaj më parë, gjatë periudhës së izolimit për shkak të Covid 19. Kolonat janë gjetur të thyera në datën 13 prill. Po atë ditë, pas mbajtjes së procesverbalit nga Zyra e Administrimit dhe Koordinimit të Parqeve Arkeologjike Apoloni dhe Bylis, është lajmëruar Ministria e Kulturës dhe është bërë denoncimi në Polici. Ekspertët e kësaj të fundit kanë ardhur në sit po atë ditë dhe kanë konstatuar dëmet në terren. Tashmë çështja po trajtohet nga organet kompetente. Ndërkaq, mbështetur në konsultimet me restauratorë dhe arkeologë të ekipeve, që kryejnë gërmime arkeologjike në Apoloni, është hartuar nga Zyra e Administrimit dhe Koordinimit të Parkut, një projekt restaurimi, i cili është paraqitur për aprovim pranë Këshillit Shkencor të Institutit të Monumenteve. Pasi ka marrë aprovimin e këtij Këshilli, projekti ka kaluar për miratim dhe në Këshillin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore pranë Ministrisë së Kulturës. Është tërësisht i pavërtetë dhe i paqëndrueshëm pretendimi se Instituti i Arkeologjisë nuk ka pasur dijeni për këtë ngjarje, duke qenë se Instituti Arkeologjik ka stafin e vet brenda Parkut të Apolonisë dhe përfaqësues të tij janë anëtarë të Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore”, shkruan Zyra e Administrimit dhe Koordinimit të Parqeve Arkeologjike Apoloni dhe Bylis.

 

Fotografitë janë marrë nga faqja personale e Facebook-ut, të arkeologut dhe profesorit Ceka, i cili, shkruan: Në Bylis, me kolegët e Institutit të Arkeologjisë dhe të Monumenteve të Kulturës, kur krijuam parkun arkeologjik gjatë gërmimeve të viteve ’80.

Mijëra familje pa energji elektrike

Kaos në Britani nga stuhia ‘Bert’!

Vangjeli: Sky ECC u përdor nga politikanë, ministra e gjyqtarë…

“Prokuroria ka në dorë ‘ditarin’ e botës së errët të krimit”

“Bllokim total i Tiranës! Qytetarët do të vuajnë, por…“

“Mosbindja civile” protestë më 26 nëntor, Paloka zbardh skenarin