MENU
klinika

Nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë...

“Covid-19 u kthye sërish në lajm të parë”

13.06.2020 - 14:32

Në Shqipëri, autoritetet shëndetësore njoftuan sot një tjetër shifër rekord në përhapjen e COVID-19; janë zbuluar 48 raste të reja qytetarësh të prekur nga ky virus, pas 270 testimeve.

Kjo është shifra më e lartë ditore e zbulimit të virusit qysh nga nisja e epidemisë në fillim të marsit.

Shqipëria po shënon këtë javë një shtim të befasishëm të infektimeve me Covid-19 disa javë shifrash minimale, që sollën edhe lehtësimin e masave të karantinës.

Gjatë kësaj jave Covid-19 u kthye sërish në lajm të parë për shkak të rekordeve maksimale, që u arritën befas si në asnjë prej ditëve kur ishte vala e parë e epidemisë.

Asnjëherë më parë nuk u arritën shifra aq të larta e përshkallëzuara ditore nga 36, 38, 42, 44 deri 48 të infektuar që shkoi sot.

Zyrtarët e shëndetësisë publike bënë të ditur se 48 rastet e zbuluara rishtas janë persona kontaktesh të të infektuarve të mëparshëm si dhe shumë gjetje të reja në proces hetimi në Tiranë, Krujë, Fier, Durrës, Kamëz.

“Shpërndarja e rasteve të reja është si vijon: 24 raste në Tiranë, 8 në Krujë, 4 në Durrës, 3 në Fier, 2 Lezhë, 2 Pukë, 3 Kamëz, 1 Gjirokastër, 1 Elbasan. Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 5 qytetarë. Vijon të ketë shtrime të reja në spitalin infektiv, ku po marrin shërbim 52 pacientë, prej tyre 7 janë në terapi intensive dhe një i intubuar. Aktualisht 389 persona janë aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë” – tha Dr. Flutura Beqo, përfaqësuese e ministrisë së shëndetësisë.

Qyteti më i shumë i prekur nga koronavirusi ëhstë Tirana me 220 raste, më pas vijnë Shkodra, Kruja dhe Kamza, e më pak Durrësi, Puka, Lushnja dhe Vlora.

Një seri qytetesh të tjera kanë nga 1 deri në 4 persona të prekur nga Tropoja deri në Gjirokastër, ku u shënua qytetari i parë me COVID-19 pas 4 muaj epidemie.

Nga fillimi i marsit numri të vdekurve është 36, ndërsa afro 70 për qind e të prekurve nga fillimi i epidemisë kondiserohen të shëruar.

Punonjësit e shëndetësisë publike vërejtën se pas lehtësimit të masave të karantinës, rastet e shtuara sërish janë më së shumti në veprimtari tregtare, në institucione dhe tubime të ndryshme.

Ndaj ata bënë sërish thirrje për distancimin fizik dhe përdorimin e maskave në shërbimet publike, dezinfektime dhe ajrosje për të penguar përhapjen e Covid-19./VOA