Anulimi i vizitave të Avdullah Hoitit dhe Hashim Thaçit në Washington ka çuar drejt anulimit të takimit në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor, ku do të zhvilloheshin diskutimet për dialogun Kosovë-Serbi.
Ngritja e akuzave nga Zyra e Prokurorit të Specializuar për krime gjatë Luftës së Kosovës ndaj Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veselit duket se ka prishur planet e amerikanëve.
I pari që anuloi vizitën ishte Hashim Thaçi që ditën e djeshme dhe lajmin e dha i dërguari i posaçëm i SHBA-së për dialogun, Richard Grenell, por duke theksuar se takimi do të bëhej edhe pse pa praninë e Presidentit të Kosovës.
“Presidenti i Kosovës sapo na ka njoftuar se ka anuluar udhëtimin për në Uashington, pas njoftimit nga Zyra e Prokurorit Special.
E respektoj vendimin e tij për të mos marrë pjesë në diskutime derisa të zgjidhen këto çështje. Presim diskutimet e së shtunës të cilat do të udhëhiqen nga presidenti Vuçiç dhe kryeministri Hoti”, shkruan Grenell në Twitter.
Por, sot vizitën e anuloi dhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, duke çuar paraprakisht në anulimin e të gjithë takimit, pasi bisedimet nuk mund të zhvillohen vetëm me njërën palë.
“Për shkak të zhvillimeve të reja në Prishtinë si rezultat i akuzave të dorëzuara nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, më duhet të kthehem në Prishtinë për tu marrë me situatën. E kam njoftuar Ambasadorin Grenell se nuk mund të marrë pjesë në takimin e datës 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë”, – shprehet Hoti.
Ai ndodhet në Bruksel, ku për sot është planifikuar të ketë takime me zyrtarë të Bashkimit Evropian, e më pas nga aty, planifikonte të nisej për Washington. Siç duket, ShBA-BE po përplasen me njëra-tjetrën se kush do të ketë rolin e protagonisti, pra se kudh do të udhëheqë bisedimet e dialogut Kosovë-Serbi.
Gjithsesi duhet theksuar se ende nuk ka një njoftim zyrtar lidhur me anulimin e takimit në Washington.