MENU
klinika

Zbrazen trojet shqiptare

Eurostat: Shqipëria dhe Kosova me eksodin më të lartë në rajon

01.06.2020 - 13:13

Nga viti 2013 deri në vitin 2018, nga trojet shqiptare janë larguar 227 mijë persona, duke vendosur një rekord në krahasim me të gjitha vendet e tjera të Ballkanit. Eurostat ka publikuar të dhënat e migracionit neto (difrenca mes personave që ikin dhe atyre që vijnë) për vendet kandidate.

Nga Shqipëria largohen neto mesatarisht 15-20 mijë persona çdo vit (102 mijë persona për pesë vjet), ndërsa nga Kosova janë larguar në total për të njëjtën periudhë 125 mijë persona, ku rekordi është shënuar në vitin 2015 me rreth 50 mijë.

Ndryshe nga trojet Shqiptare, vendet e tjera të Ballkanit nuk po vuajnë largim të popullsisë së tyre. Serbia dhe Bosnja kanë zero migracion neto, Malit të Zi i ikin rreth 900 persona në vit, Maqedonia në 2017- 2018 kishte migracion të lehtë pozitiv (pra më shumë njerëz janë kthyer sesa kanë ikur).

Dy shtetet që flasin të njëjtën gjuhë janë ndër më të varfërat e Europës, ndërsa përballen me të ardhme të pasigurt për shkak të konflikteve të vazhdueshme politike po çka i detyron ata ta gjejnë shpresën duke braktisur vendin.

Rekord në kërkesat për azil dhe marrje nënshtetësi

Në të njëjtën linjë, si Shqipëria dhe Kosova kryesojnë si për kërkesat për azil, ndërsa Shqipëria mban rekord dhe për lejet e qëndrimit si dhe për nënshtetësitë e marra në një nga vendet e Bashkimit Europian.

Për periudhën 2013-2018 ka pasur gjithsej 164 mijë kërkesa për azil nga Shqipëria dhe 135 mijë nga Kosova. Për krahasim në të njëjtën periudhë nga Serbia kishte 72 mijë persona.

Për periudhën 2012-2017 kanë marrë nënshtetësinë e një vendi të BE-së rreth 290 mijë shqiptarë, duke shënuar një rekord në Ballkan, tregojnë të dhënat e Eurostat. Psh, për të njëjtën periudhë, 60 mijë serbë morën nënshtetësi në një vend të BE-së.

Pjesa më e madhe e nënshtetësive për shqiptarët janë dhënë nga Greqia (50.6%) dhe Italia (46.1%). Por, këto dy shtete, që ishin destinacioni kryesor në fillim të viteve ’90 dhe 2000 nuk janë tashmë më të preferuarat e shqiptarëve. Lejet e dhëna për herë të parë në 2018-n ishin 35% nga shtete të tjera, përveç Greqisë dhe Italisë.

Nga Kosova, për periudhën 2013-2017 kanë marrë nënshtetësinë 40 mijë persona, gjysma e të cilave nga Gjermania dhe rreth 30% nga Italia.

Shtesa natyrore e popullsisë, vetëm Serbia dhe Bosnja e kanë negative

Ndonëse Serbia nuk vuan nga emigracioni, ajo ka një shtesë natyrore negative (dmth ka më shumë vdekje sesa lindje), me -37 mijë pesona mesatarisht në vit. Të njëjtën tendencë negative ka edhe Bosnja.

Shqipëria ka ende një shtesë natyrore pozitive, por ajo po shuhet vit pas viti. Nga 15 mijë persona në 2018-n, shtesa natyrore në 2018-n ishte rreth 7,100 persona.

Maqedonia vijon të ketë shtesë pozitive, por edhe ajo e përgjysmuar në raport me pesë vjet më parë. E njëjta tendencë konstatohet dhe për Malin e Zi.

Kosova është vendi që vijon të ketë lindshmërinë më të lartë dhe si rrjedhojë dhe shtesën natyrore më të fortë në Ballkan, me një shtesë mesatare prej 14-18 mijë persona në vit.