MENU
klinika

20 milionë lekë humbje

Hervin Çuli kallëzim në prokurori për pajisjet e Teatrit Kombëtar!

26.06.2020 - 14:15

12 ditë pas shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar, ka përfunduar inventarizimi i materialeve dhe pajisjeve në ngarkim të këtij institucioni, ku është konstatuar mungesa e një pjese të konsiderueshme të tyre, vlera e të cilave shkon në  afro 19 milionë e 197 mijë lekë (19,196 908 lekë). Për këtë arsye, drejtori i këtij institucioni Hervin Çuli i është drejtuar Prokurorisë së Tiranës, me një kallëzim 6-faqësh, ku jo vetëm pasqyron numrin e artikujve që mungojnë, por bën edhe një përmbledhje të situatës  nga korriku i 2018-ës, kur Teatri Kombëtar u zhvendos tek ArTurbina, deri në 17 maj, që u shënua akti final i rrëzimit të objektit.

Për të evidentuar mungesat në inventarin e bërë, stafi i Teatrit Kombëtar i është referuar gjendjes kontabël të inventarit të korrikut të vitit 2019, që kap shumën e 41.516.539 lekë. Sektorët që kanë shënuar humbjet më të mëdha në kosto janë ai dekoreve fondale, garderoba, reparti i ndriçimit, skena etj. Ndërsa sa i përket numrit më të madh të pajisjeve dhe materialeve që kanë humbur për sektor, sipas pasqyrimit që bëhet në kallëzimin penal, duket se janë shënuar nënë Magazinën Qendrore, ku mungojnë 6644 prej materialeve që mbaheshin aty. Po ashtu nga rekuizita mungojnë plot 1974 pajisje, për të vazhduar më tej me gardërobën, ku mungojnë plot 1818 artikuj.

Referuar po këtij kallëzimi, sipas drejtorit të Teatrit Kombëtar, duket se “rezulton e humbur e gjithë arkiva me dokumente e Teatrit Kombëtar para vitit 2012”. Në 34 sektorë, mungojnë gjithsej 12450 artikuj (12 mije e 450 artikuj).

Çfarë ndodhi me pajisjet e materialet e Teatrit Kombëtar mëngjesin e 17 majit?

Në kallëzimin penal të bërë nga Hervin Çuli, theksohet se për situatën e krijuar në orët e para të mëngjesit të 17 majit, janë njoftuar nga Bashkia Tiranë, vetëm pasi është goditur fasada e Teatrit. Sipas tij, ka qenë kjo e fundit, që deri në 29 maj ka shpënë ditë pas dite  me kamion materiale të Teatrit Kombëtar në një hapësirë që ka marrë m qira Ministria e Kulturës, ku edhe është bërë inventarizimi.

“Kjo e fundit na ka njoftuar përmes telefonit se ka nxjerr nga godina e TK pajisje edhe mallra të ndryshme. Një pjesë e këtyre mallrave është dërguar në hapësirat me qira dhe pjesa tjetër do të silleshin më vonë me kamionë nga bashkia. Teatri Kombëtar menjëherë kanë ngritur komisionin e konstatimit, vlerësimit dhe inventarizimit të të gjithë aseteve (mallra dhe pajisje), që silleshin nga bashkia e Tiranës. Gjithashtu në datë 17.05.2020  të gjithë punonjësit e TK me urdhër kanë dalë në punë (edhe pse ditë e diel) dhe kanë shkuar pranë hapësirave të marra nga Ministria e Kulturës, ku kanë konstatuar se bashkia kishte lënë një pjesë të mallrave në këtë godinë. I gjithë procesi I inventarizimit zgjati deri në datë 29.05.2020 për shkak se bashkia Tiranë ka vazhduar të sjellë materiale dhe disa ditë më pas shembjes së godinës”,  shkruan Çuli në Kallëzimin e bërë.

Nga 2019-ta deri në shembjen e godinës, pse nuk u tërhoqën objektet me vlerë?

Në kallëzimin penal, drejtuar Prokurorisë së Tiranës, HervinÇuli shpjegon se prej vitit 2019, veçanërisht në muajin korrik, punonjësit e tij janë penguar prej protestuesve që të hynin në ambientet e tyre të punës. “Në momentin kur Teatri Kombëtar filloi, si çdo vit, procedurat për inventarizimin e të gjithë materialeve, punonjësit tanë nuk lejoheshin të hynin. Kjo solli një përqendrim të madh të protestuesve në godinën e teatrit dhe pamundësinë e punonjësve tanë për të hyrë në godinë. Madje punonjësit dhunoheshin verbalisht sapo afroheshin në dyert e TK për këtë arsye, pas disa ditëve në një situatë të tillë, në datën 22.07.2019 me shkresën nr. 544 prot, institucioni ynë i kërkon ndihmë ministrisë së Kulturës, si institucion qendror nën varësinë e të cilit është Teatrit Kombëtar, për të zgjidhur situatën”. Mirëpo, siç sqarohet në kallëzimin e bërë, edhe pasi MK i drejtohet Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, e cila ndërhyn në 24 korrik, pajisjet dhe materialet ngelin brenda në sajë të rezistencës që bënë protestuesit, duke u futur në ambientet e brendshme të objektit, pas përplasjeve të vazhdueshme me policinë.

Pas kësaj, Çuli deklaron se “ka humbur kontrollin dhe administrimin e Teatrit Kombëtar” dhe për situatën e krijuar, ka bërë një denoncim në 25 korrik në Komisariatin nr1. Në këtë komisariat, Çulit 6 muaj më vonë, në 4 shkurt  të 2020-ës i është kërkuar edhe inventari i plotë i sendeve dhe objekteve që gjendeshin në Teatrin Kombëtar, të cilin ai e ka dorëzuar në 22 shkurt.