MENU
klinika

Nga Der Spiegel

Këto dy gra mund ta ndryshojnë Evropën!

18.06.2020 - 10:54

Nga Der Spiegel

Ursula von der Leyen si Presidente e Komisionit dhe Kancelaren Gjermane Angela Merkel gati të marrë përsipër presidencën e Këshillit Europian, BE do të drejtohet nga dy gra gjermane me një histori të gjatë. Kontinenti mund të mos jetë më kurrë i njëjti.

Në terma të përgjithshëm, shtëpia e Ursula von der Leyen është Brukseli. Aty ajo kaloi 13 vitet e para të jetës. “Për mua, udhëtimi për në Bruksel përfaqëson fort ndjenjën e kthimit në shtëpi”, thotë ajo.

Në terma specifikë, shtëpia e Von der Leyen është një hapësirë prej 25 metrash katror në selinë e Komisionit Europian në Bruksel, Presidente e të cilit ajo është. Von der Leyen fle në një apartament të vogël të lidhur me zyrën e saj përmes një dere të thjeshtë.

Ndonjëherë ajo e kalon fundjavën në Burgdorf, afër Hanoverit, ku jeton familja e saj – një shtëpi tjetër. Dhe pastaj është Berlini, ku von der Leyen ishte ministre për 14 vjet. Duke folur intelektualisht, këtu është gjithashtu, në një farë mase, shtëpia e saj – veçanërisht kur ajo është në telefon me kancelaren gjermane Angela Merkel.

Gjatë atyre telefonatave, të dyja i gëzohen bisedës. Von der Leyen dëshiron të dijë se çfarë u diskutua në mëngjes nga ministrat që i përkasin Unionit Kristian-Demokrat të qendrës së djathtë (CDU) dhe partisë së tyre simotër bavareze, Unionit Kristian- Social (CSU), përpara takimeve të kabinetit të së mërkurës. “Edhe sot më mungojnë ethet e Berlinit”, thotë ajo. Merkel dëshiron të dijë se kush po mendon çfarë brenda BE-së. Të dyja i dërgojnë njëra-tjetrës mesazhe telefonike çdo ditë.

Dhe duke filluar nga 1 korriku, ajo frekuencë mund të rritet. Kjo është dita kur Gjermania do të marrë përsipër Presidencën e radhës së Këshillit Europian për gjysmë viti. Nga kjo pikë, dy gra gjermane do të udhëheqin BE – dy gra që kanë një histori të gjatë të përbashkët dhe marrëdhënie shumë të ndryshme historike me Europën.

Do të jetë e vështirë për ta. Presidenca gjermane e Këshillit vjen në një kohë kur BE është më e dobët sesa ka qenë për një kohë të gjatë: ndarjet e brendshme, Brexit, një luftë midis Kinës dhe ShBA që e ka margjinalizuar Europën – dhe kriza COVID-19, në periudhën zanafillore të të cilit vendet anëtare të BE-së u përqendruan vetëm te vetja.

Në atë kohë, BE dukej se po binte viktimë e pandemisë. Gjërat po duken më mirë tani, por radha e gjermanëve në krye të Këshillit mbetet një “sfidë e vështirë”, siç thotë Ministri gjerman i Ekonomisë, Peter Altmaier i CDU.

Për Merkel dhe von der Leyen, sfidat personale janë gjithashtu të forta. Njëra do që t’i bëjë njerëzit të harrojnë fillimin e keq të saj si kryetare e Komisionit. Tjetra dëshiron të sigurojë trashëgiminë politike europiane, që deri më tani ka qenë mjaft e dobët. Ato varen nga njëra-tjetra, por tashmë e dinë këtë.

“Kancelarja e di se kur unë kam një detyrë, marshoj”, thotë von der Leyen. Ajo është ulur në zyrën e saj të dielën, pak pas orës 4 pasdite, pasi sapo ishte kthyer nga Burgdorf. Ka takime me ekipin të planifikuara për në mbrëmje.

Angela Merkels Ass – Ursula von der Leyen hat eine Chance verdient

Emancipimi i Ursulës

Kancelarja gjithashtu e di se von der Leyen nuk mendon gjithmonë për të tjerët kur ajo marshon. Kur kohët e fundit, presidentja e Komisionit ishte ngarkuar nga krerët e vendeve anëtare të BE-së që të formulonte një propozim për një rimëkëmbje ekonomike të përqendruar rreth buxhetit të BE-së, Merkel e paralajmëroi hapur: “Mos harro që së pari të bisedoni me ne.”

Për një kohë të gjatë, Merkel, 65 vjeç dhe von der Leyen, 61, kishin një marrëdhënie mësues-student. Kur Merkel u bë kancelare në 2005, ata u shikuan si një ekip i ëndrrave të Kristian-demokratëve. Marrëdhëniet u ftohën kur von der Leyen nuk u emërua presidentja gjermane në 2010, siç e priste. Më vonë, pasi von der Leyen u bë ministre e Mbrojtjes, Merkel duhej të pranonte se, ashtu si paraardhësit, dishepullja e saj nuk kishte qenë në gjendje të merrte në kontroll ministrinë.

Në verën e vitit 2019, Presidenti francez Emmanuel Macron doli me idenë për ta bërë atë Presidente të Komisionit të BE-së, një gjë që nuk i kishte shkuar në mend Merkelit. Kancelarja ka të ngjarë të ketë qenë pak e shqetësuar për largimin e von der Leyen për në Bruksel.

Von der Leyen nuk ka më nevojë t’i përmbahet disiplinës së kabinetit dhe tani përfaqëson interesin e Europës në një pozitë të barabartë me ish-shefen. E shikuar ndryshe, tani i takon von der Leyen të pastrojë Europën nga kaosi i krijuar në epokën e Merkelit.

Presidenca e parë e Këshillit e Merkelit erdhi në gjysmën e parë të 2007 dhe ajo shpejt u bë udhëheqësja de fakto e Europës.

Kriza financiare shpërtheu menjëherë pas kësaj, e ndjekur nga kriza e euros. Gjermania e kaloi atë periudhë më mirë se shumica e vendeve të BE-së, dhe kushdo që hynte në telashe kishte nevojë për vullnetin e mirë të Merkel për të dalë.

Kancelarja mund të ishte bërë lideri i padiskutueshëm i Europës, por kjo do të kërkonte më shumë bujari. Ajo vetëm sa vuri para në dispozicion të vendeve më të dobëta nën kushte të rrepta, përfshirë vizitat e rregullta të inspektimit nga e ashtuquajtura “trojka” e Bankës Qendrore Europiane, Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Komisionit Europian. Greqia u ndje e ngacmuar, duke bërë që disa ta shihnin Merkelin si rimishërim të Hitlerit.

Pa përfunduar kriza e euros, refugjatët filluan të mësyjnë Europën. Pa gjetur konsensus me vendet e tjera, Merkel lejoi që migrantët e bllokuar në Hungari të hyjnë në Gjermani – një vendim që çoi në konfliktin tjetër të madh.

Duke parë në retrospektivë 15 vitet e Merkelit si kancelare gjermane dhe si politikane kryesore e BE-së, fillon e formësohet një përshtypje e caktuar. Europa nuk ka qenë në gjendje të pajtohet për një politikë humanitare; në Hungari dhe Poloni, demokracia është dëmtuar rëndë; Britania e Madhe është larguar nga BE, dhe ende nuk ka marrëveshje se si ajo dhe Blloku do të merren vesh me njëri-tjetrin në të ardhmen; në Europë, mosmarrëveshja për paratë ka ndarë kontinentin përgjatë vijave veri-jug; roli i shtetit komb po rishfaqet; e përbashkëta europiane, e mishëruar nga Brukseli, po zhvendoset në sfond.

Kur bëhet fjalë për planet vizionare, Europa është bërë një vend i trishtuar. Sigurisht, kjo nuk është vetëm faji i Merkelit, por si kreu i vendit më të fuqishëm të BE-së, ajo mban një pjesë të madhe të fajit.

“Gjermania e para”?

Ka pasur shumë spekulime se përse Merkel nuk u bë një europiane e apasionuar si ish-Kancelari Helmut Kohl. Për dallim prej tij, ajo nuk e përjetoi luftën dhe si fëmijë i Gjermanisë Lindore komuniste, nuk u rrit si një europiane (perëndimore), si gjermano- perëndimorët e brezit të saj.

Në vitet e para si politikane, ajo së pari duhej të dëshmonte se ishte një gjermane e mirë, ose më saktë, një përfaqësuese e mirë e Gjermanisë së bashkuar. Ndoshta një mënyrë kombëtare e të menduarit ishte ngulitur në mendjen e saj në atë pikë, një mentalitet “Gjermania e para”.

Von der Leyen, nga ana tjetër, është një gjermano-perëndimore që nuk kishte pse të vërtetonte se mund të përfaqësonte interesat gjermane. Që në vitin 2011, ajo ishte duke diskutuar për “Shtetet e Bashkuara të Europës bazuar në modelin e shteteve federale të Zvicrës, Gjermanisë apo ShBA”.

Ajo ishte e lumtur që arriti të “kthehej në shtëpi” si kryetare e Komisionit. Por kur shpërtheu pandemia, von der Leyen, e cili ka një doktoraturë në Mjekësi, nuk bëri që në fillim një figurë të mirë. Me rritjen e numrit të të infektuarve, Gjermania, Franca, Austria, Republika Çeke dhe shumë vende të tjera mbyllën kufijtë. Von der Leyen u tërhoq mënjanë.

Kur ishin në rrezik jetët e qytetarëve të tyre, udhëheqësit në Berlin, Paris dhe vendet e tjera anëtare nuk mund ta kishin bërë më të qartë se sa pak mendonin për Europën. Kontrollet kufitare janë një masë e ngarkuar me simbolikë në BE; ato përfaqësojnë të kundërtën e një Europe të bashkuar. Megjithatë von der Leyen fillimisht i pranoi pothuajse pa fjalë.

Vështirësitë e saj fillestare mund të lidhen me faktin se, ndryshe nga paraardhësi i saj, Jean-Claude Juncker, ajo kurrë nuk drejtoi një qeveri. As nuk mund të pretendojë se ka mandat nga votuesit. Në zgjedhjet europiane, pak më shumë se një vit më parë, emri i saj nuk ishte në fletëvotim.

Por tani ajo ka mundësinë për të rritur rolin e Komisionit në mënyrë më dramatike se kushdo për një kohë të gjatë. Merkel, kujt do t’i shkonte mendja- skeptikja e Brukselit – e hapi rrugën për këtë.

Në fillim, kancelarja i rezistoi me pasion thirrjeve për të ndihmuar shtetet në BE me “korona bonde”. Kriza e euros dukej se po përsëriste veten. Por më pas, ashtu si gjatë krizës së refugjatëve, zemra e Merkel dukej se bëhej e butë – siç ndodh shpesh gjatë krizave humanitare. Së bashku me Macron, ajo propozoi një plan të rimëkëmbjes për Europën në të cilën kancelarja ra dakord të lejojë shtetet të marrin grante që nuk do t’u duhet t’i kthejnë, në vend të huave. BE-së do t’i lejohej t’i merrte këto para përmes kredive.

Disa e quajnë këtë koncept “borxh të komunitetit”, një ‘flamur i kuq’ më parë për qeverinë gjermane. Macron dhe Merkel caktuan 500 miliardë euro për të, dhe von der Leyen shtoi 250 miliardë të tjera.

Ursula von der Leyen biography: President of the European Commission

Një pikë kthese për Europën

Me këtë, Komisioni mund të shpërndajë pothuajse dy herë më shumë para në vitet e ardhshme sesa më parë, dhe ndikimi i tij po rritet në përputhje me rrethanat. Eshtë e vështirë të imagjinohet që Merkel do ta kishte pranuar këtë me Juncker. “Pa besim, kjo nuk do të ishte e mundur”, thotë von der Leyen. “Ne e vlerësojmë njëra-tjetrën. Jo gjithmonë jemi dakord, por mund të mbështetemi te njëra-tjetra 100 përqind. Ne e njohim njëra-tjetrën shumë, shumë mirë”.

Plani i Von der Leyen përfshin më shumë se 20 akte ligjore. Për javë të tëra, zyrtarët kanë luftuar për çdo detaj. Ajo ka thirrur secilin nga udhëheqësit e 27 vendeve anëtare dy ose tre herë, duke u përpjekur të tejkalojë dallimet midis veriut dhe jugut, jugut dhe lindjes. “Të gjithë e kanë kuptuar se çfarë është në diskutim”, thotë von der Leyen me optimizëm. “Mundësia jonë qëndron në faktin se ne tani dalim së bashku nga kjo krizë.”

Por Von der Leyen ka pak shpresë për të arritur qëllimin e saj pa ndihmën e Merkel.

Askush nuk pret përparim gjatë video-samitit të 19 qershorit. Hollanda, Austria, Suedia dhe Danimarka i kanë bashkuar forcat si “Katër Kursimtarët” në bisedimet për buxhetin e BE. Ata nuk e pëlqejnë idenë që BE dëshiron të luftojë krizën duke marrë borxh.

Merkel dhe von der Leyen shpresojnë se momenti i ri mund të ndihmojë gjithashtu në zgjidhjen e problemeve të mëtejshme. Programi zyrtar për presidencën gjermane të Këshillit të BE-së, të cilin qeveria gjermane shpreson ta miratojë së shpejti, është 24 faqe. Ai kryesisht përqendrohet te koronavirusi dhe pasojat e tij, si dhe Brexit, marrëdhëniet me Kinën dhe reformën e politikës europiane të refugjatëve.

Gjermania gjithashtu dëshiron të lobojë në mbështetje të pagave minimale dhe kundër papunësisë së të rinjve dhe humbjes së biodiversitetit. Sistemi i tregtisë globale gjithashtu duhet të forcohet.

Deri më tani, vendet partnere kanë qenë optimistë për presidencën gjermane dhe udhëheqjen e përbashkët të Merkel dhe von der Leyen. Ministri francez i Financave, Bruno Le Maire thotë: “Sigurisht, në situatën aktuale, ndihmon që Ursula von der Leyen dhe Angela Merkel ta kenë njohur dhe besuar njëra-tjetrën për vite me radhë. Ka një afërsi që i shtyn gjërat përpara dhe i bën vendimet më të lehta”.

Ministri i Jashtëm italian Luigi Di Maio ka përcaktuar tri përparësi. Më e rëndësishmja është fondi i rimëkëmbjes, i ndjekur nga migracioni. Di Maio do të donte që Merkel të jepte shuma më të mëdha për të stabilizuar Afrikën e Veriut.

Ministri i Jashtëm italian gjithashtu do të dëshironte të shtynte përpara konferencën për të ardhmen e Europës, megjithë euroskepticizmin e përhapur në Itali, kryesisht me shpresën për të arritur një bashkim fiskal.

Bundeswehr-Skandal: Von der Leyen hat Merkels "volle Unterstützung"

Hapësirë ​​për ambicie

“Merkel tani duhet të përfundojë pjekjen e biskotave gjysëm të bëra”, thotë Mario Monti, i cili ishte kryeministër italian gjatë krizës së euros në 2011. Ai thotë se nuk ka dyshim se ajo do të ketë sukses. “Gjermania sapo ka treguar, me një autoritet të shkëlqyeshëm, se ka një forcë të madhe drejtimi.” Ai thotë se mënyra se si Berlini po i siguron Europës burimet e veta financiare është “unike”.

Edhe Polonia po shikon me mirësi presidencën gjermane të Këshillit. Gjermania ka pasur një reputacion të keq midis anëtarëve të krahut të djathtë polak, të cilët aktualisht qeverisin vendin dhe që kanë argumentuar se Berlini nuk ka hequr dorë kurrë nga ideja e të qenit fuqi botërore.

Por, pavarësisht kokëfortësisë ideologjike, Varshava aktualisht po vepron në mënyrë pragmatike: Meqenëse britanikët u larguan nga BE, politikanëve nacional-konservatorë polakë u mungon një model dhe partner në BE. Kjo i lë ata vetëm me gjermanët, dhe kjo është arsyeja pse fraksioni i qeverisë polake siguroi një shumicë për Ursula von der Leyen në parlamentin e BE.

Në Gjermani, pak rezistencë duhet pritur ndaj një politike pro-europiane, përveç Alternativës për Gjermaninë (AfD), parti populiste e djathtë, e cila u themelua si forcë anti-euro. CDU dhe CSU, nga ana tjetër, do të mbështesin kancelaren. “Oreksi për rebelim ka qenë i frenuar,” thotë Gunther Krichbaum, kryetari i Komitetit të Europës në parlamentin gjerman. “Situata po lejon që Angela Merkel të bëjë gjëra që nuk do të ishin të mundshme më parë.” Me ‘situatë’, ai nënkupton rezultatet e mira në sondazhe të Merkel dhe tronditjen e COVID-19.

Florian Hahn, zëdhënësi i politikave europiane për grupin parlamentar CDU/CSU, i sheh gjërat në mënyrë të ngjashme. “Nuk është më koha për reflekse banale”, thotë ai. “Korona ka potencialin ta shkatërrojë Europën”. Ai pretendon se kjo tani është e qartë për shumë njerëz në parti. Hahn nuk është vetëm një politikan i përqendruar te Europa, por edhe nënSekretari i Përgjithshëm i CSU dhe një nga njerëzit më të afërt të liderit të partisë Markus Söder. “Për ne, ka përfundimisht një kurbë mësimi kur bëhet fjalë për Europën”.

Daniel Caspary, kryetari i deputetëve të CDU/CSU në Parlamentin Europian, argumenton se, duke pasur parasysh ngritjen e Kinës dhe zhvillimet në ShBA, është edhe më e rëndësishme, nga këndvështrimi i partisë, për të forcuar BE-në. “Për këtë qëllim, Merkel do të ketë mbështetje të gjerë në CDU dhe CSU gjatë presidencës gjermane të Këshillit”, thotë ai.

Me kaq shumë mbështetje, Merkel madje mund të përballonte të rrezikonte edhe me pak ambicie vizionare. Ajo gjithashtu mund të fillonte marshimin. Një deklaratë e fundit nga Merkel, për shembull, ishte befasuese. Ajo tha se duhet të flasim seriozisht për atë që Europa nuk mund të bëjë aq mirë sa duhet. “Kjo mund të përfshijë ndryshime të Traktatit; mund të përfshijë atë që ne të ecim shumë më afër së bashku”.

Mbi të gjitha, Merkel është duke menduar për politikën e jashtme. Ajo shpesh thekson se sa e rëndësishme është për Europën që të paraqesë një front të bashkuar nëse BE-ja nuk do të shtrydhet mes SHBA dhe Kinës. Një hap i parë do të ishte ndalja e praktikës së njoftimit të çdo vendimi të politikës së jashtme të koordinuar me çdo anëtar të BE-së.

Reagimi kaotik ndaj COVID-19 ka bërë gjithashtu që Merkel të konsiderojë një Union më të ngushtë. Në një letër të përbashkët me Macron dhe udhëheqësit e tjerë kombëtarë drejtuar von der Leyen, ajo argumentoi se javët e fundit “kanë ngritur pyetje në lidhje me gatishmërinë e BE për pandemitë” dhe nxori në pah nevojën për një qasje “mbarë Europiane”.

Një Kancelare Merkel që ndryshon traktatet dhe nuk e shikon më politikën e BE-së nga një perspektivë thjesht gjermane – kjo do të ishte vërtet diçka e re./Politiko

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Presidentja e mundshme Komisionit Europian

“Marrëveshja e gjelbër”, premtimi i Ursula von der Leyen

Çfarë po lë pas kancelarja gjermane?

Angela Merkel – Sukseset dhe dështimet