MENU
klinika

12 Qershor 1999

Kosova shënon sot përvjetorin e 21 të lirisë

12.06.2020 - 08:59

Kosova shënon sot 21-vjetorin e hyrjes në vend të trupave ushtarake të NATO-s, përkatësisht trupave shumëkombëshe të KFOR-it, ditë kjo që është shënuar si Dita e Lirisë apo Çlirimit të Kosovës.

Në Kosovë janë paralajmëruar aktivitete të shumta për nder të kësaj dite kurse Kuvendi i Kosovës do të organizojë një seancë solemne.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka bërë homazhe pranë memorialit të ushtarëve të KFOR-it, të cilët kanë humbur jetën deri sa kanë qenë duke shërbyer në Kosovë. Ai tha se për Kosovën kjo është një ditë e veçantë.

“Është ditë e veçantë për popullin e Kosovës, këtë ditë, secili për neve e kemi parasysh entuziazmin dhe emocionin që kanë përjetuar qytetarët e Kosovës në atë ditë kur trupat e NATO-s futeshin në Kosovë. Jemi falënderues për partnerët tanë ndërkombëtarë për lirinë që ne sot e gëzojmë”, tha Hoti.

Ndërhyrja e NATO-s, përkatësisht dislokimi i trupave paqeruajtëse të KFOR-it më 12 qershor, 1999, pasoi fushatën e sulmeve ajrore të Aleancës Veri-Atlantike kundër caqeve serbe në Kosovë dhe në Serbi, që zgjati 78 ditë.

Në Kosovë, në kuadër të KFOR-it, më 12 qershor 1999 filloi vendoja e rreth 50,000 ushtarëve nga 36 vende të botës, prej të cilëve 30,000 ishin nga vendet e NATO-s.

Sot, 21 vjet pas kësaj ndërhyrje, trupat e paqeruajtëse të KFOR-it (NATO-s) janë në numër më të vogël, të cilët janë të dislokuar në pjesë të ndryshme të Kosovës me mision paqeruajtës.

Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, më 12 qershor 1999, kishte mundësuar edhe kthimin në shtëpitë e tyre të më shumë se 800 mijë refugjatëve, personave të zhvendosur brenda dhe jashtë Kosovës.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nga Prof. Dr. Fadil Maloku

Alarm: Kosova po përgjysmohet!