MENU
klinika

Çfarë e futi në ngërç Këshillin Politik të Reformës

Kriset pakti për zgjedhjet, PS flet për politikë tripolare

17.06.2020 - 07:41

Ashtu siç pritej, formula e përzgjedhjes së trupës së re të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka futur në ngërç Këshillin Politik.
Katërshja e Reformës Zgjedhore dështoi dje në gjetjen e një dakordësie për mekanizmin e përzgjedhjes së kryekomisionerit dhe komisionerëve në tri nivele. Ekspertët e kontraktuar nga Komisioni Parlamentar i Reformës Zgjedhore që në 2017, Ilir Rusmaili dhe Viktor Gumi, në draftin e publikuar pak ditë më parë në gazetën “Panorama” propozonin që anëtarët e rinj të KQZ-së së riformatuar të zgjidheshin nga Parlamenti me tri të pestat e votave.

Por nga ana tjetër, duke qenë se opozita e bashkuar nuk ka përfaqësi në Parlament për shkak të vendimit të shkurtit të një viti më parë kur dogjën mandatet, PD e LSI kërkojnë një instrument tjetër përzgjedhjeje. Kjo ishte edhe pika ku palët nuk ranë dakord.

PROPOZIMI

Përfaqësuesit politikë të opozitës së bashkuar depozituan dje në Këshillin Politik propozimin që kryekomisioneri, nënkomisioneri dhe 10 anëtarët e Komisionit Rregullator dhe atij të Ankesave të zgjidhen njësoj si në organet e reja të drejtësisë. Duke qenë se opozita e bashkuar nuk ka përfaqësi në Parlament, atëherë ajo propozon që shpallja e vakancave të bëhet nga Avokati i Popullit.

Njoftimi bëhet po nga i njëjti institucion dhe publikohet në gazetë. Kandidatët e interesuar depozitojnë aplikimet e tyre në institucionin e Avokatit të Popullit dhe ky i fundit, në bazë të kritereve të caktuara më parë, ashtu si me institucionet e reja të drejtësisë bën dy lista. Një me ata që i plotësojnë kriteret dhe një me ata që nuk i plotësojnë. Këtu mbaron puna e Avokatit të Popullit për momentin.

Pas kësaj krijohet një komision ad hoc me 5 përfaqësues, nga të cilët 3 i përkasin maxhorancës, sipas rezultatit të zgjedhjeve të fundit dhe dy nga pakica e atyre zgjedhjeve. Këta do të marrin në shqyrtim kandidaturat. Sa i përket pozicionit të kryekomisionerit, komisioni ad hoc do të përzgjedhë me shumicë votash fillimisht 4 kandidatë. Kjo listë do t’u paraqitet dy anëtarëve të pakicës, të cilët do të përzgjedhin dy prej tyre dhe më pas me shumicë vote përzgjidhet kryekomisioneri. Ndërsa për nënkomisionerin, pesha më e madhe e përzgjedhjes do t’u lihet përfaqësuesve të komisionit ad hoc nga pakica.

Të fundit që do të zgjidhen janë anëtarët e Komisionit Rregullator dhe atij të Ankesave. Për këto pozicione, çdonjëri nga 5 anëtarët e komisionit ad hoc të përzgjedhur do të zgjedhë nga një kandidat për Komisionin Rregullator dhe nga një kandidat për KAS. Më pas, lista e plotë që do të përzgjidhet nga komisioni ad hoc do të votohet nga Parlamenti pa ndryshuar, sipas propozimit të PD-së.

NGËRÇI

Aktualisht, në Parlament opozita e re është ndarë në dy kampe, ku që të dyja nuk pranojnë marrëveshjen e Këshillit Politik dhe kanë deklaruar se nuk do pranojnë ta miratojnë pa plotësuar kushtet e tyre. Kësaj i druhet edhe përfaqësuesi i maxhorancës në Këshillin Politik, Damian Gjiknuri, i cili në përfundim të mbledhjes tha dje se situata politike është tripolarizuar.

“Politika tashmë është bere tripolare dhe duhet të gjejmë një zgjidhje edhe me ta. Megjithatë, jua thashë se qëndrimi ynë ka qenë që këtë marrëveshje ta çojmë deri në fund, pasi Shqipëria kërkon një ligj zgjedhor, kërkon një marrëveshje për të marrë pjesë në zgjedhjet e radhës dhe në fund të fundit, kjo marrëveshje u negociua edhe nga shumë aktorë të rëndësishëm ndërkombëtarë, të cilët kanë investuar që ky proces të shkojë me mirëkuptim”, tha Gjiknuri në përfundim të mbledhjes. Më tej, Gjiknuri shtoi se opozita nuk mund ta zhbëjë Parlamentin dhe sipas tij, në këto kushte më mirë të mbetet me këtë formulë të KQZ-së që funksionon aktualisht.

FORMULA E PD-SË PËR KQZ E RE

1. Avokati i Popullit shpall thirrjen për paraqitjen e shprehjes së interesit për të gjitha pozicionet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në faqen zyrtare të internetit, si dhe në dy gazeta me tirazhin më të lartë në vend.

2. Afati për paraqitjen e kërkesës dhe dokumentacionit shoqërues është 15 ditë. Në kërkesën që paraqet, kandidati përcakton vendin vakant, për të cilin është i interesuar të aplikojë. Në rast se kandidati nuk ka përcaktuar asnjë preferencë për vendin vakant, konsiderohet që ai aplikon për të gjitha vendet vakante.

3. Kërkesa e kandidatit regjistrohet në regjistrin e protokollit të Avokatit të Popullit. Kandidati pajiset me një dokument që vërteton numrin e aplikimit, datën dhe listën e dokumenteve të paraqitura. Bashkëlidhur me kërkesën, kandidati dorëzon 2 kopje të dokumenteve të kërkuara që vërtetojnë përmbushjen e kritereve.

4. Brenda 7 ditëve nga përfundimi i procesit të aplikimit, një komision i përbërë nga Avokati i Popullit dhe dy komisionerë të Avokatit të Popullit, përpilon një listë me kandidatët, të cilët plotësojnë kriteret formale për secilin pozicion dhe një listë me kandidatët, të cilët nuk i plotësojnë këto kritere, si dhe ngre Komisionin Ad Hoc të Përzgjedhjes, që përbëhet nga: a) 3 përfaqësues të partive të shumicës parlamentare sipas rezultatit të zgjedhjeve të përgjithshme pararendëse; b) 2 përfaqësues të partive të pakicës parlamentare, sipas rezultatit të zgjedhjeve të përgjithshme pararendëse.

5. 3 ditë pas përpilimit të listës, Avokati i Popullit i përcjell dosjet dhe relacionin shpjegues të përmbushjes së kritereve për secilin kandidat Komisionit Ad Hoc të Përzgjedhjes. Avokati i Popullit merr pjesë si vëzhgues në mbledhjet e Komisionit Ad Hoc të Përzgjedhjes.

6. Komisioni Ad Hoc i Përzgjedhjes, pas zhvillimit të një seance dëgjimore me kandidatët, mund të vendosë të kalojë një kandidat nga lista e kandidatëve që nuk plotësojnë kriteret formale te lista e kandidatëve që plotësojnë kriteret formale, me të paktën katër vota.

7. Pas përfundimit të listës së kandidatëve që plotësojnë kriteret formale, Komisioni Ad Hoc i Përzgjedhjes ndjek procedurën e mëposhtme për zgjedhjen e kandidatëve:

a) Nga lista e kandidatëve që kanë aplikuar për komisionerë, zgjidhen me shumicë votash katër kandidatët më të mirë. Këto katër kandidatura u kalohen dy anëtarëve të pakicës, ku secili prej tyre ka të drejtë të përjashtojë nga një kandidat. Me shumicë votash më pas, njëri nga dy kandidatët e mbetur në garë zgjidhet nga Komisioni Ad Hoc i Përzgjedhjes si Komisioner.

b) Nga lista e kandidatëve që kanë aplikuar për zëvendëskomisionerë, dy përfaqësuesit e pakicës përzgjedhin secili nga një kandidat. Zëvendëskomisioner zgjidhet një nga dy kandidatët që ka marrë shumicën e votave në Komisionin Ad Hoc.

c) Nga lista e kandidateve që kanë aplikuar për Komisionin Rregullator, secili nga anëtarët e Komisionit Ad Hoc ka të drejtën të zgjedhë një anëtar.

d) Nga lista e kandidatëve që kanë aplikuar për Komisionin e Apelimit dhe Sanksioneve, secili anëtar i Komisionit Ad Hoc ka të drejtën të zgjedhë një anëtar.

8. Komisioni Ad Hoc i Përzgjedhjes përpilon listën finale të kandidatëve të zgjedhur për secilin pozicion dhe ia përcjell Avokatit të Popullit, i cili brenda dy ditëve ia dërgon Kuvendit të Shqipërisë, së bashku me dokumentet shoqëruese të aplikimit të secilit kandidat të zgjedhur dhe një raport të detajuar mbi procedurën e ndjekur.

9. Komisioni përgjegjës parlamentar për Çështjet Ligjore bën verifikimin e kandidatëve të përzgjedhur, nëse përmbushin kriteret e parashikuara nga ligji dhe ia përcjell listën për miratim shoqëruar me raportin përkatës seancës plenare, brenda 10 ditëve nga momenti i marrjes së listës.

10. Kryetari i Kuvendit njofton datën dhe orën e mbledhjes së seancës plenare për votimin e anëtarëve të KQZ-së. Brenda 10 ditëve, Kuvendi miraton listën e kandidatëve në bllok me shumicë votash.