MENU
klinika

Baza ajrore në Kuçovë

Kush do të shpronësojë banorët, NATO apo Shqipëria?

16.06.2020 - 10:23

Punimet për bazën ajrore të NATO-s në Kuçovë pritet të nisin shumë shpejt. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku gjatë një raportimi në Komisionin e Sigurisë tha se gjatë këtyre ditëve pritet të mbyllet të gjitha detyrimet që ka Ministria shqiptare e Mbrojtjes.

Kollçaku: Shpresoj që këto ditë të mbyllen të gjitha detyrimet nga ana jonë dhe të hapet drita jeshile për procedurat e mëtejshme të themelimit.
Do të ketë angazhime të tjera nga Ministria e Mbrojtjes me disa shpronësime. Shumë shpejt do të kemi lajme të mira për të filluar punimet.

Kollçaku nuk preferoi të tregojë se kush do të mbulojë faturën e shpronësimeve, Shqipëria apo NATO, kur u pyet nga kryetarja e Komisionit Felaj.

Kollçaku: Ajo është bazë e NATO-s, investimet kryesore janë të Aleancës, ka edhe angazhime tonat por që janë të papërfillshme.

Sa i takon vendosjes së radarit të ri në Midë që ishte parashikuar të përfundonte në prill, ai dha këtë shpjegim.

Kollçaku: Për Midën nuk është ndikuar nga situata e pandemisë, vazhdojnë punimet, i kam inspektuar dhe vetë personalisht dhe besoj se do të përfundojë në afatet e parashikuara.