MENU
klinika

Lista

Kush janë shërbimet më të përdorura të e-Albania

04.06.2020 - 11:19

Muaji maj kur nisi edhe hapja graduale e ekonomisë dhe bizneseve ka shënuar një tjetër numër të lartë aplikimesh për leje dalje. Në total sipas e-albania numri i kësaj kategorie aplikimi ishte 1.15 milionë që është më pak se muaji paraardhës kur shtrëngimet ishin edhe më të mëdha.

Po kështu bizneset kanë aplikuar për leje qarkullimi sipas nevojave duke e bërë këtë shërbim të dytin me numrin më të lartë të aplikimeve.

Gjatë muajve të gjendjes së fatkeqësisë natyrore një pjesë e bizneseve u detyruan që të nxjerrin nga listëpagesat punonjësit për shkak se nuk ishin në gjendje që të vijonin t’i paguanin në kushtet kur kishin zero aktivitet ekonomik. Kjo bëri që një pjesë e mirë e punonjësve të përfitonin nga paketa e parë dhe ajo e dytë e qeverisë. Një pjesë tjetër e punonjësve janë mbajtur në listëpagesa dhe janë paguar me pagë minimale. Pikërisht duket se një kontingjent i rëndësishëm i punonjësve kanë kërkuar të verifikojnë kryerjen e pagesave të kontributeve nga ana e punëdhënësve. Janë mbi 207 mijë aplikime të kësaj natyre pranë e-albania në muajin maj.

Në maj ka vijuar edhe procesi i aplikimeve për formular për lëshim ose rinovim të pasaportës. Kjo kategori shërbimi kishte mbi 135 mijë aplikime që janë individë të cilëve ju kishte mbaruar afati i pasaportës ekzistuese ose kanë pasur nevojë për pajisje me këtë dokument për herë të parë. Gjatë periudhës së prillit rinovimi u shty deri në një moment të dytë çka ishte maji. Aplikime për certifikata familjare është shërbimi i pestë më i përdorur dhe rezultojnë 133 mijë të tilla.

Më pas me radhë vijnë aplikimet për pasaportë dhe kartë identiteti (për shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë kufijve), vërtetim për aktivitet ekonomik të hapur, deklarimi dhe pagesa e kontributeve nga punëdhënësit, certifikata personale dhe në fund edhe faturat e energjisë. për këto të fundit ishin të paktën 48.5 mijë aplikime.

Për Ministrinë e Punëve të Jashtme  tek 10 shërbimet më të përdorura dominon ajo për pasaportë dhe kartë identiteti për shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë kufijve me 110 mijë aplikime ndërsa në vend të dytë leja e kalimit të paktën 5926 të tilla. /Monitor