Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka bërë thirrje nga Finiqi që djemtë dhe vajzat e minoritetit të bëhen pjesë e Policisë së Shtetit. Në një komunikim me banorët e zonës, Lleshaj shprehu shqetësimin e ekzistencës së krimeve të vogla por që sipas tij, për banorët janë një shqetësim real.
Ai deklaroi se duhet të vendoset siguria edhe në gjërat më elementare. Kjo vjen pasi banorët kanë shprehur shqetësime lidhur me vjedhje dhe grabitje në banesat dhe pronat e tyre.
“Unë i kam ndjekur rastet për akte kriminale që fokusohen te vjedhjet, dhunimi i banesave, të cilët në gjuhën e policisë cilësohen si krime të vogla. Kjo shkakton trauma te njerëzit, ndihen të dhunuar. Edhe unë e njoh atë ndjenjë sepse më kanë vjedhur makinën para shumë kohësh në oborrin e shtëpisë. Ngelet sfida jonë e përbashkët për të bërë të mundur goditjen e këtij fenomeni.
Unë i kam prindërit në Maminas dhe ata i lënë dyert hapur. Është e mundur të ndërtohen të tilla marrëdhënie dhe në Shqipëri. Do fuqizojmë kapacitetet e strukturave lokale të policisë. Nxisni djemtë dhe vajzat të jenë pjesë e Policisë së Shtetit. Mund të gjenden disa djem dhe vajza të reja të bëhen pjesë e Policisë. Mund të lëshojmë pak në standarte, por kemi një kuotë të dedikuar djemve dhe vajzave të minoritetit.”