MENU
klinika

De Biasi kujton dorëheqjen nga Kombëtarja

“Më kushtoi shumë, por histori e bukur”

14.06.2020 - 13:40

Më 14 qershor 2017, Gianni De Biasi deklaronte dorëheqjen nga Kombëtarja shqiptare, të cilën e udhëhoqi drejt një suksesi historik për Shqipërinë në futboll, pjesëmarrjen në Europianin 2016. Padyshim, moment kulminant edhe për karrierën e tij si trajner.

Për 6 vjet e gjysmë, De Biasi krijoi një epokë te kuqezinjtë që edhe sot e kësaj dite kujtohet me nostalgji, pasi më pas ekipi kombëtar pati oshilacione në rezultate dhe mjaft polemika, sidomos me Christian Panuccin, që u shkarkua.

De Biasi ishte në krye të kuqezinjve nga 14 dhjetori i 2011 deri në 14 qershori i 2017 duke arritur suksesin e “Euro 2016”, por mbi të gjitha krijoi një grup lojtarësh, të cilët edhe sot e kësaj dite kanë respect për italianin.

Dhe në këtë ditë, De Biasi bëhet nostalgjik, ndoshta edhe disi i penduar, teksa me një postim në rrjetet sociale, ai shkruan: “Tre vite më parë vendosa të largohem nga kombëtarja shqiptare, një moment i trishtë dhe shumë i vështirë për mua.

Objektivi ishte që t’i jepja mundësinë zëvendësuesit tim që të kishte kohë për të njohur futbollistët. Më ka kushtuar shumë ai vendim, por si të gjithë gjërat e jetës ka një llim dhe një fund. Një histori e bukur së cilës i kishte ardhur fundi.”

De Biasi e ka derën hapur, një deklaratë e bërë nga Duka. Trajnerit italian nuk i ka ecur shumë pasi u largua nga Shqipëria. Pati disa opsione edhe në ekipe kombëtare, por asnjëra nuk u qe e thënë të realizohej. Së fundmi, erdhi dhe pandemia. E tani sërish i duhet të presë, ndoshta në sezonin e ri në shtator do të jetë mundësia e artë për të.