MENU
klinika

Djali nga Kosova, i shkruan ministrit italian

“Më ndihmoni, të gjej ushtarin që takova më 1999”. Vjen surpriza!

19.06.2020 - 10:04

       Me rastin e 21-vjetorit të misionit të NATOS në Kosovë, një djalë kosovar, Shpend Lila, i shkroi në Twitter, ministrit italian të Mbrojtjes, Lorenzo Guerini, duke i kërkuar që ta ndihmonte për të gjetur një ushtar italian përmes një fotografie të ’99-ës, së bashku. Dhe ministria e gjeti atë.

Pas mesazhit në Twitter, i gjithë stafi i ministrit të Mbrojtjes u vu në lëvizje, për të zbuluar identitetin e ushtarit, i cili, në atë kohë ishte vullnetar në regjimentin 9 “Col Moschin”.

Ushtari që tashmë është një zyrtar i lartë në ushtrinë italiane, e mbante mend shumë mirë atë moment kur ka takuar djaloshin nga Kosova dhe u shpreh, se ka dëshirë ta kontaktojë.

Ishte mëngjesi i 12 qershorit të vitit 1999, në Kosovë. Kjo datë, do të mbahet mend gjatë dhe do të shënohet në librat e historisë, pasi shënon triumfin ndaj agresorit serb dhe natyrisht, çlirimin e vendit. Asokohe, sulmet ajrore të NATOS pushuan, për t’u mundësuar këmbësorisë hyrjen në Kosovë, që më pas, do të largonin forcat serbe nga aty.