Eruditi, u nda nga jeta në moshën 71-vjeçare, pas luftës disavjeçare me një sëmundje të rëndë.
Homazhet për nder të poliedrikut Moikom Zeqo, do të mbahen pranë Muzeut Historik Kombëtar, ditën e shtunë (20 qershor), nga ora 10.00-14.00. Sipas familjarëve, ky ka qenë edhe amaneti i eruditit, i cili ka dhënë kontributin e madh e të rrallë, si drejtor i këtij institucioni, për 8 vite radhazi, 1997-2005.
Shkrimtari dhe poeti u shua mëngjesin e 15 qershorit, pas një lufte të gjatë me një sëmundje të rëndë, leucemi akute. E megjithatë, kontributi i tij mbetet i paçmuar në letërsi, politikë, publicistikë, filozofi, arkeologji edhe pikturë.
Nga miqtë edhe kolegët, Moikom Zeqo cilësohet, si një ndër intelektualët e paktë, që ia kushtoi jetën krijimtarisë, familjes, por mbi të gjitha emancipimit të politikës edhe shoqërisë shqiptare.
Gjatë viteve të fundit, ndonëse u shkëput plotësisht institucionet shtetërore, ai nuk hezitoi kurrë së qeni një zë kritik për çështje të rëndësishme për vendin, qoftë politike, të trashëgimisë kulturore edhe shumë fusha të tjera.
Moikom Zeqo u lind në qytetin e Durrësit. Kreu studimet e larta për Gjuhë-Letërsi në Tiranë. Në vitin 1973, kritikohet për hermetizëm në krijimtarinë e tij poetike, arsye pse e dërguan mësues në Rrogozhinë. Pas kësaj, Zeqo angazhohet në fushën e arkeologjisë, ku thellon edhe më shumë dijet, që do t’i shërbenin edhe në krijimtarinë e tij letrare, duke u konsideruar sot, si një ndër poetët e paktë elitarë, që vendi ynë ka nxjerrë.
Në fillim të viteve ’90, Zeqo merr pjesë përkrah Dritëro Agollit, në rithemelimin e Partisë Socialiste, më tej u emërua ministër i Kulturës, ndërsa nga viti 1992-’97, ishte pjesë e Kuvendit të Shqipërisë, si deputet i PS-së.
Moikom Zeqo, mbante titujt: “Mjeshtër i madh” dhe “Gjergj Kastriot Skënderbeu”.