MENU
klinika

Paketa-kombo për turistët

Mos e humbni rastin, për ta vizituar Shqipërinë… më lirë!

07.06.2020 - 16:59

         Të gjithë turistët, vendas apo të huaj, do të mund të vizitojnë sitet e trashëgimisë kulturore gjatë këtij sezoni turistik, me një çmim simbolik.

Në mbledhjen e Komitetit të Turizmit mbajtur në Apolloni, me tour-operatorë dhe hotelierë, ministrja e Kulturës, Elva Margariti dhe ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Klosi prezantuan paketën e re turistike, sikurse është edhe ulja e çmimit të biletave në sitet kulturore.

Në fjalën e saj, ministrja Margariti theksoi rëndësinë e bashkëpunimit për rimëkëmbjen e turizmit pas pandemisë, me të cilën u përball e gjithë bota.

“Kemi dalë me një paketë të re ofertash që vihen në vijim edhe të bisedave të bëra me të gjithë tur operatorët edhe për t’ju gjendur më afër ju, sepse mendojmë se ky është momenti kyç që t’ju qenë më pranë, pasi mendojmë fort që ky vit të kemi gjithmonë e më tepër një turizëm lokal e ndoshta do të kemi më pak turistë të huaj, megjithatë dhe në momentin që do të kemi turistë të tjerë të huaj, ne do t’i përgjigjemi me shërbime të reja në sitet tona”, u shpreh Margariti.

Në Berat, kanë filluar tashmë paketat e kombinuara të biletave me audiogrilën. Ulja e çmimit të biletave, për të vizituar muzetë dhe parqet arkeologjike, është një ndihmë e madhe ekonomike, duke iu përgjigjur kështu kërkesave të agjencive.

“Kemi arritur që vitin e shkuar, të kemi mbi 1 milionë vizitorë dhe mendojmë se, me këtë politikë të re dhe ato site që nuk kanë qenë të vizituara, të bëhen sa më shumë pjesë e paketave tuaja. Kemi biseduar së bashku për disa muze, sikur dhe për Muzeun e Gjetheve, që ka qenë një nga pikat ku dhe vetë tour-operatorët kanë thënë se iu duket pak jo i aksesueshëm për paketat e tyre. E kemi arritur tashmë, në një çmim thuajse simbolik, gjë që e kemi bërë dhe për shumë site dhe mendojmë që kjo është zgjidhja e duhur në këto momente”, – tha ministrja. 

Më tej, ajo theksoi se, pas shtatorit do të ketë paketat e reja që vijnë me çmime të reduktuara vetëm për agjencitë.

“Kemi shtuar dhe kategori të reja, që janë kategori ’50 plus’ – për t’iu ardhur në ndihmë agjencive dhe ajo çfarë kemi bërë, është promovimi i biletarisë online. Besoj se jemi të gjithë dakord, se e ardhmja është e gjitha drejt dixhitalizimit dhe këto kohë e kemi treguar se aksesi dixhital, ka qenë ai që na ka krijuar ura të reja bashkëpunimi. Ndaj, do të vazhdojmë të promovojmë edhe më shumë, çmimin e biletës online” – deklaroi ministrja, duke shtuar se, aty do të jetë aksesueshmëria më e madhe e tarifave të ulëta.

“Pra, ndryshe do të jetë çmimi në sportele, ndryshe do të jetë çmimi online. Po punojmë që të kemi një kanal të dedikuar sidomos nga shtatori dhe më pas, për të patur paketa-kombo, siç i quajmë, që janë paketat e disa siteve bashkarisht.”

“Pamdemia, nuk na gjunjëzoi po na gjeti më pranë, me njëri-tjetrin. Në këto muaj, të kemi mundësinë edhe dhe më tepër, të sjellim sa më shumë turistë dhe në ato site ku ju nuk i keni sjellë më parë, që të kemi më shumë promovim nga shtatori dhe më vonë, si dhe më shumë paketa-kombo”, – ka shpjeguar Margariti.