Ministrja për marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali e ftuar në ‘News24’ ka komentuar vendimin që dha dje gjykata për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, duke rikthyer nga e para çështjen.
Spiropali tha se ndjen keqardhje njerëzore për Tahirin, ndërsa shtoi se kjo çështje është zgjatur mjaftueshëm. Mes të tjerash ministrja tha se; “Uroj që Saimir Tahiri të gjejë të drejtën e tij”.
INTERVISTA
3 vite përpjekje dhe përballje me drejtësinë për ish-ministrin Tahiri, dhe kthehemi në pikën zero. Si e patë këtë vendim?
Nuk mund të komentoj një vendim gjykatë, por ndjej një keqardhje të madhe njerëzore për Saimir Tahirin. kaq mund të thuhet në këtë pikë. S’jam e njohur me detajet e vendimit dhe çështjen në brendësi. Mund të them se është zgjatur mjaftueshëm, sa për të ndjerë këtë keqardhje për njeriun, Saimir Tahiri.
A duhet patur besim tek drejtësia e re në këtë rast, duke qenë me këtë situatë ku prisnim një vendim?
Nuk mund të nisesh nga çështje individuale për të gjykur mbi një reformë kaq të madhe. Reforma është e gjerë. Ka përfshirë shumë aktorë, ka kushtuar shumë, si financiarisht dhe në kontributin njerëzor. Është investuar shumë kjo maxhorancë. Ka shtuar besimin e qytetarëve në një drejtësi të re.
Vet ish-ministri Tahiri teksa flitë në media, pati nota emocionale dhe shprehej se i vinte ndot nga pozicionet që ka mbajtur nëse ekzistonte një njeri tjetër që zvarritej si ai në këtë formë. Si e keni kuptuar këtë deklaratë?
Është e kuptueshme nga ana e tij. Deri diku është lehtësisht e lexueshme ajo që Saimiri po thotë. S’na takon ne që të gjykojmë mbi ndjesitë. Uroj që Saimir Tahiri të gjejë të drejtën e tij.
Kur shprehet se për një kosto politike dhe se nuk ka faj. Në të vërtetë a ka kosto politike për Saimir Tahirin?
Është një pozicion i vështirë për të së pari dhe ne e ndajmë qartazi politikën nga drejtësia. S’jemi përzierë në punë të drejtësisë ashtu sikur urojmë që kolegët tanë, që kanë pasur pozicione të caktuara të larta, të gjejnë drejtësi.
Ai ka shprehur gjithmonë se ka qenë dhe mbetet ‘ministri kampion’. A është ministër kampion?
Askush s’mund t’ja mohojë Tahirit, punën e tij, energjinë në PS, si kryetar i Tiranës, apo ministër i Brendshëm. Nuk mund t’i gjykojmë bardhë e zi Njerëzit. Të gjithë njerëzit kanë dritëhijet e tyre. Saimir Tahiri, duke qenë një njeri energjik dhe produktiv, padyshim ka të tijën. S’mund të mohojmë atë që ka qenë dhe ka bërë Tahiri vetëm për këtë rast apo për këtë çështje.