MENU
klinika

“Dëshiroj që të dish diçka..."

“Nëse ti më harron”-Neruda

17.06.2020 - 15:57

Poezia me titullin origjinal “Si Tú Me Olvidas” u shkrua ndërsa Neruda ishte në mërgim në Evropë. Kushtet specifike në të cilat ai shkruajti këto vargje duhet të jenë të mjaftueshme për të magjepsur çdokënd. Neruda ishte i martuar me Delia del Carril, një shkrimtare argjentinase 20 vjet më të vjetër se ai. Ajo e shoqëronte në udhëtimet me të kudo në Evropë gjatë mërgimit të tij. Por, përkundër kësaj, Neruda ruante një marrëdhënie intense me Matilde Urrutia, e cila do të bëhej më vonë gruaja e tij e tretë.

Në biografinë e tij për Pablo Nerudën, Adam Feinstein thotë se “Nëse ti më harron” është shkruar kur Neruda ndodhej në Zvicër. Ndërsa gruaja e tij udhëtonte për në Paris, Neruda ishte izoluar në një fshat të bukur zviceran, Nylon, me të dashurën e tij, Matilde Urruti. Pikërisht në këtë fshat Neruda shkroi poezinë. Vihej në pikëpyetje jetëgjatësia e marrëdhënies së tij me Urrutin, nisur nga peripecitë në të cilat po kalonte, andaj ndjesitë e përziera të asaj aventure frymëzuan këtë poezi tejet të ndier.

Shijojeni!

Nëse ti më harron

“Dëshiroj që të dish
diçka.

Ti e di si është kjo punë:
nëse vështroj
hënën e kristaltë, degën e kuqërremtë
të vjeshtës së ngadaltë në dritaren time,
nëse prek
pranë zjarrit
hirin e parrokshëm,
a trupin e rrudhosur të drurit,
gjithçka më çon drejt teje,
thua se ç’më rrethon,
erërat, drita, hekurishtet,
të jenë varkëza që lundrojnë
drejt ishujve të tu në pritje.

Përpos,
nëse me ngadalë ti rresht së më dashuri,
unë do të rresht së të dashuri dalëngadalë.
Nëse befas
më harron,
mos më kërko,
do të t’kem harruar tashmë.

Nëse ti e quan të marrë dhe të pafundmë
flladin e flamujve
që kalon për nga jeta ime,
dhe merr vendimin
të më lesh fillikat në breg
të zemrës ku kam rrënjët,
mendo që
në atë ditë,
në po të njëjtën orë,
krahët do i ngre
dhe rrënjët e mia do të dalin
në kërkim të tjetër toke.

Por
nëse çdo ditë,
në çdo orë,
ndien se jam unë fati yt
me butësi të patundshme,
nëse çdo ditë në buzët e tua
ngjitet një lule e më kërkon,
oh, dashuri; oh, imja ti,
brenda meje gjithë ai zjarr merr sërish flakë,
brenda meje kurrgjë s’shuhet, e as harrohet,
dashuria ime ushqehet me dashurinë tënde, e dashur,
e për aq frymë sa të kesh ajo do të prehet mes krahëve të tu
pa lëshuar kurrë të mitë.”

Pablo Neruda, “Los versos del capitán”, 1963