MENU
klinika

La Liga ndez “motorët” sot me derbi

Një tjetër ligë e madhe, nis zyrtarisht në Spanjë

11.06.2020 - 14:50

Futbolli rinisi zyrtarisht edhe në Spanjë. Pas 3 muajsh pezullim, kampionati spanjoll rifilloi me një ndeshje të ndërprerë, pikërisht Ray Vallecano-Albacete, e përfunduar 1-0, e vlefshme për Segunda Divizion. Rinisi me një minutë heshtje në nderim të atyre që kanë humbur jetën nga Covid-19.

Dhe sot ristarton La Liga me derbin Sevilla-Betis. Pra, pas Bundesligës, Europës po i kthehet një tjetër ligë e madhe. Klubet po bëjnë maksimumin që të rikthehen në fushë duke marrë masat gati ekstreme. Është krijuar një protokoll sigurie, të cilin lojtarët duhet ta zbatojnë me rigorozitet, ndryshe do të penalizohen, që nga kartonat e verdhë, deri në përjashtime.

Rasti i parë është ai i mbrojtësi i krahut të djathtë të Barcelonës, Semedo, që mori pjesë në një ditëlindje me mbi 15 veta. Barcelona e ka përjashtuar portugezin nga stërvitja e ditës së sotme dhe mbetet në dyshim për ndeshjen e fundjavës me Mallorca-n, ndërsa lojtari do t’iu nënshtrohet testeve për t’u siguruar se nuk është infektuar.

Ndërkohë, me idenë që nga 29 qershori e në vijim në stadiumet spanjolle do të rikthehen 30 përqind e tifozëve, Atletico Madrid i ofroi rivalit Real Madrid stadiumin “Wanda Metropolitano”, meqë “Santiago Bernabeu” është në rikonstruksion, por kjo është refuzuar menjëherë nga selia e Los Blancos, me ndeshjet që do të luhen në stadiumin “Alfredo Di Stefano”. Edhe tifozët e Atleticos ishin kundër, ku sipas një sondazhi, 80% e tyre nuk dëshiron që Real Madrid të luante në “Wanda Metropolitano”.

KAMPIONATI

Barcelona ishte në krye të klasifikimit kur pandemia ndali kampionatin, por vetëm me dy pikë avantazh nga Real Madrid. Në këtë pikë ka ndodhur vetëm njëherë gjatë dekadës së fundit që diferenca mes vendit të parë dhe të dytë të ketë qenë kaq e ngushtë. Ishte sezoni 2014-2015 që përfshinte sërish këto dy skuadra dhe ai sezon do të vendosej në favor të katalanasve me dy pikë avantazh.

Veç Barçës dhe Real, Sevilla dhe Sociedad do të luftojnë për Champions-in sezonin e ardhshëm. Ato renditen me 47 dhe 46 pikë, po aq sa edhe Getafe e vendit të pestë, që shkon në Europa League. Në pozicionet e Ligës së Europës dhe me qëllimin për të shkuar në Champions është Atletico Madrid me 45 pikë.

Matematikisht asnjë skuadër nuk ka shpëtuar ende. Për momentin, Espanyol (20 pikë), Leganes (23) dhe Mallorca (25) janë tre vendet e fundit të klasifikimit. Por pranë tyre është edhe Celta Vigo (26), Eibar (27) dhe Valladolid (29). Beteja do të jetë mes gjashtë skuadrave dhe do vendosin shumë duelet direkte.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


120 futbollistë në “rrugë” pas 30 qershorit

La Liga, probleme me lojtarët që ka huazuar në Europë