MENU
klinika

Shpërthimi i ri i COVID-19 në Kinë

OBSH: Ka nevojë për testime të mëtejshme pas ‘hipotezave’ për shkakun

16.06.2020 - 09:13

Origjina e një grupi të ri të infeksioneve me koronavirus në Pekin është e paqartë, thanë zyrtarët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë të hënën, por pretendimi se ai mund të ishte shkaktuar nga importet ose paketimi i salmonit nuk ishte “hipoteza kryesore”.

Disa rrethe të kryeqytetit kinez vendosën pika kontrolli sigurie, mbyllën shkolla dhe urdhëruan njerëzit të testohen për koronavirus të hënën pas një rritje të papritur të rasteve të lidhura me tregun më të madh të ushqimit me shumicë në Azi.

Mike Ryan, drejtues i programit të urgjencave të OBSH-së, theksoi se paketimet duhet të testohen në mënyrë sistematike pas infeksioneve të reja. Komentet e tij bënë jehonë sëbashku me ato të ekspertëve më herët të hënën, të cilët thanë se peshqit në vetvete nuk kishin të ngjarë të bartnin sëmundjen dhe çdo lidhje me salmonin mund të ketë qenë rezultat i kontaminimit të kryqëzuar.

Kina, një importues i madh i ushqimeve të detit dhe mishit, ka ndaluar blerjet nga furnizuesit europianë të salmonit për shkak të frikës se ato mund të lidhen me koronavirusin.

Ryan tha se agjencia e KB po ndiqte nga afër shpërthimin, i ka ofruar më shumë ndihmë teknike Kinës dhe ishte në kontakt të ngushtë me autoritetet e Pekinit, ndërsa ata po përpiqen ta kontrollojnë atë.

Ryan tha se ai “pret plotësisht” nga Kina që të publikojë renditjen gjenetike të virusit nga shpërthimi i Pekinit siç ka bërë në të kaluarën. Gjurmët gjenetike kanë sugjeruar se mund të kishte ardhur nga Europa.

Komentet e OBSH-së në lidhje me episodin e fundit në Kinë ka të ngjarë të tërheqin vëmendjen pas kritikave nga Shtetet e Bashkuara për trajtimin e pandemisë nga agjencia e KB, duke e akuzuar atë si “me qendër në Kinë” dhe duke kërkuar një hetim.

Ai gjithashtu tha që agjencia mund të forcojë ekipin e zyrës së vendit të saj me më shumë ekspertizë në ditët e ardhshme kur të zhvillohet hetimi.(Reuters)