Në një kohë që ekonomia shqiptare është në kolaps për shkak të pandemisë që ka shkaktuar 37 viktima dhe 82 të infektuar ditën e sotme, për të mos folur për 435,662 të vdekurit dhe më shumë se 8 milionë të infektuarit në botë, figura publike vijojnë me deklarata absurde që thonë se koronavirusi është një mashtrim.
Pas Labinot Tahirit, i cili tha se “koronavirusi është një gënjeshtër”, tani edhe aktorja e njohur e Klanifornia-s, Delinda Disha mendon se kemi të bëjmë me një lloj mashtrimi për të përhapur panik.
Në një status në InstaStory ajo shkruan fjaklë për fjalë: “COVID-19 është një mashtrim i madh për të hapur panik në popullsi për të bërë vaksinën. Por ne duhet të jemi të gjithë bashkë për t’i thënë jo. Një gënjeshtër që po i shkatërron njerëzit psikologjikisht dhe ekonomikisht”.
Sa i përket kësaj deklarate, vetëm për një gjë mund të biem dakord, që situata po i shkatërron njerëzit ekonomikisht dhe psikologjikisht! Por është absurde t’iu kërkosh sot atyre personave që kanë humbur familjarin e tyre nga virusi ose kanë frikë për jetën ndërkohë që marrin frymë përmes aparaturave tek Infektivi, që të mendojnë se gjithçka është e stisur për hir të një vaksine që nuk ka dalë akoma dhe nuk dihet nëse do të dalë ndonjëherë!
Fatkeqësisht nuk janë të paktë njerëzit që mendojnë si Delinda, dhe mjafton të shohësh komentet në rrjetet sociale të iconstyle.al për të kuptuar edhe arsyen përse sot ka plot njerëz që nuk do të respektojnë rregullat apo masat e mbrojtjes, duke rrezikuar kështu jo vetëm veten por dhe të tjerët!
Nuk e dimë nëse këta njerëz presin të provojnë në lëkurën e tyre infektimin me virus për ta besuar, dhe urojmë mos ta provojnë kurrë, por të paktën të mos marrin përsipër të bëjnë rolin e ekspertëve, por t’ua lënë këtë detyrë autoriteteve që kanë 3 muaj që bëjnë thirrje për respektim të masave mbrojtëse dhe distancimit social.
Nëse nuk duam që të infektohemi, ose më e pakta, t’i rikthehemi qëndrimit të detyruar në shtëpi, është koha për ndërgjegjësim total. Personazhet e njohur të ekranit siç është Delinda, në rastin e sotëm, ose Labinot Tahiri, mund të kontribuojnë duke solidarizuar mijëra fansat e tyre që gabimisht po i shtyjnë drejt teorive konspirative.