MENU
klinika

Ç'është rituali i 13 të martave?

Pelegrinazhi në Kishën e Shna Ndout, natë e shenjtë për besimtarët

13.06.2020 - 08:09

Kisha e Shna Ndout cilësohet një vend i shenjtë për besimtarët e krishterë. E pozicionuar në kodrën e Kishës së Shenjtë, sipër qytetit të Laçit, ky vend çdo vit në qershor shndërrohet në destinacionin e pelegrinëve. Që në orët e para të paradites së 12 qershorit, vargu i njerëzve i drejtohet kodrës, e cila e parë nga lart të krijon ndjesinë e një çatie me gurë të bardhë.

Për të arritur  te Kisha, duhet të ecet në këmbë për të prekur nga afër dhe përshkruar rrugën ku besohet se ka kaluar Shna Ndou.

Gjatë pasdites në ambientet e Kishës ritet janë të shumta. Me relikën e shenjtë të ndërtuar edhe me pjesë të eshtrave të Shën Andout, bekohen një nga një besimtarët. Pak më tutje, një tjetër at, spërkat me ujin e bekuar. Me kalimin e orëve, njerëzit që mbërrijnë në Kishë bëhen edhe më të shumtë, çdo gjë është e organizuar në mënyrën më të mirë: policia, ambulanca, madje edhe zjarrfikësja qëndrojnë aty gjatë gjithë kohës.

Pa ardhur mirë mbrëmja, shumëkush kërkon të sigurojë një vend për të pritur 13 qershorin, që përkon dhe me vdekjen e shenjtorit. Por momenti më i shumëpritur për ta është Mesha e madhe tradicionale. Pas meshës së shenjtë tek Kisha në maje të kodrës, riti vazhdon tek Shpella e Shën Vlashit. Shenjtorja e Kishës së Laçit është një nga 6 vendet më të shquara të pelegrinazhit në botë.

Kush është Shna Ndou (Shën Antoni)?

Shna Ndou lindi me 15 gusht të 1195 në Portugali. Në moshën 15 vjeçare u bë pjesë e Urdhërit Agostinian dhe në moshën 25-vjeçare u bë Françeskan. Në vitin 1946, Padre Pio e ka renditur Shën Antonin mes doktorëve të kishës katolike dhe i ka dhënë titullin Doktor Evangjelik. Bazilika më e madhe e Padovës i është përkushtuar Shën Antonit. Festa e tij është më datë 13 qershor, si në Padova dhe në Laç. Shën Antoni vdiq më 13 Qershor të vitit 1235 në Arqela të Padovës.

Çfarë është nata e 12 qershorit?

Nata Shna Ndout është me 12 qershor, ku mijëra besimtarë presin që të vijë data 13 që është dita e Shna Ndout. Në këtë natë të madhe mblidhen njerëz nga qytete të ndryshme të vendit, por edhe nga shtetet fqinje.

Pse shkojnë shumë besimtarë?

Të gjithë besimtarë që shkojnë në shenjtoren e Kishës së Laçit besojnë në mrekullitë e këtij Shenjti dhe përshpirtshmërinë e madhe ndërmjetësuese në mrekulli, shërim, mbarësi dhe plotësi të Shna Ndout të Padovës. Kisha e Shna Ndout në Sebaste të Laçit është bërë vendi i bashkimit të besimtarëve të të gjithë besimeve si shenjë e tolerancës dhe harmonisë fetare që ekziston në Shqipëri. Kjo kishë për të gjithë pelegrinët është kthyer në burim besimi, shprese, dashurie dhe optimizmi. 

Ç’është rituali i 13 të martave?

Peleginazhi i shenjtë i besimtarëvë të feve të ndryshme fillon në mes të muajit mars, që është e marta e parë e pelegrinazhit në shenjtoren e Shna Ndout dhe përfundon në 13 qershor që është dhe festa e këtij shenjti. Për 13-të të marta, besimtarë të shumtë të të gjitha feve, me qirinj në duar  dhe me lutje të veçanta sfidojnë fatin e tyre, duke besuar në mrekullitë e Shna Ndout. Rituali i shenjtores fillon sapo kalon qytetin e Laçit dhe fillon ngjitjen në mal. Ndalesa e parë bëhet tek gjurmët që është dhe vendi ku mendohet se ka kaluar Shna Ndou. Në gurë janë shenjat e këmbëve dhe të duarve të tij, gjithashtu vendi ku mendohet se ai ka pushuar. Të gjithë besimtarët përshkojnë këto pjesë të shenjta të pelegrinazhit me prekje dhe vendosje të kokës, duarve dhe komplet trupit në vendin për të cilin mendohet se ka kaluar Shna Ndou.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN