Oficerët e operacionit “Forca e Ligjit”, kanë vënë në shënjestër pasurinë e tre personazheve, mjaft të njohur në qytetin e Fierit dhe Vlorës. Në një raport të siguruar nga “Shqiptarja.com” qartësohet se vëllezërit, Vladimir dhe Shpëtim Çilotaj, zotërojnë një pasuri perandorake në Fier dhe jo vetëm. Ndërsa personi tjetër Aleksandër Llanaj, i dënuar me burgim të përjetshëm dhe që momentalisht vuan dënimin në burgun e Drenovës, megjithëse është subjekt i ligjit të OFL-së, nuk rezulton me shumë pasuri në raport me vëllezërit Çilotaj.
Në raportin e OFL-së, thuhet se në emër të Aleksandër Llanaj, Bledar Llanaj dhe Ferdinand Llanaj, ekzistojnë pasuri në vlerë kapitale si shtëpi dhe një fermë me bagëti që zotërojnë në fshatin Selenicë të Vlorës. Po në këtë fshat familja Llanaj, zotëron dhe një sipërfaqe të madhe toke, për të cilën OFL-ja kërkon shpjegime lidhur me justifikimin e kësaj pasurie. Ndërkohë më e “dhjamosur” është familja Çilotaj në Fier. Kjo familje, zotëron një perandori të vërtetë, ndërkohë që pasuria e tyre përbëhet nga shuma të mëdha financiare dhe mjaft pasuri të paluajtshme.
Vila përrallore, superbiznese, sipërfaqe toke, apartamente në Tiranë, Sarandë dhe Durrës, troje e shumë pasuri të tjera janë identifikuar nga OFL-ja. Shpëtim Çilotaj alias (Shpërdheja) rezulton i dënuar për veprat penale “Vrasje me paramendim” dhe “Shfrytëzim prostitucioni” në Greqi. Ndërsa vëlla i tij Vladimir Çilotaj alias (Shpërdheja) rezulton i dënuar për “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”. Momentalisht të dy vëllezërit janë marrë të pandehur për akuzën e “Pastrimit të produkteve të veprës penale” dhe ndaj tyre është vendosur masa e “arrestit në burg” në mungesë. Çuditërisht ende nuk janë arrestuar nga policia e shtetit.
Gjithashtu i pandehur për akuzën e “Pastrimit të produkteve të veprës penale” aktualisht është dhe babai i tyre Agur Çilotaj alias (Shpërdheja), ndaj të cilit është vendosur masa e detyrimit për paraqitje. Jonida Çilotaj rezulton e pandehur dhe Xhevahir Troka një kambist nga qyteti i Fierit është marrë i pandehur dhe momentalisht të gjithë këta persona, janë duke u gjykuar në gjykatën e Fierit. Gjithashtu nën akuzë janë vënë dhe dy shoqëritë tregtare “Çilotaj Group LTD” dhe “Ladi 2008”.
Pasuritë e subjektit Agur Çilotaj:
Në Fier, njësi (studio piktori), me sip.40 m2.
Apartament banimi 91.25 metër katror në Sarandë.
Apartament 89.29 metër katror.
Tokë truall 2721 metër katror në Shkallnuar, Durrës dhe tre ndërtesa sociale 509 metër katror, total 1500 metër katror ndërtim.
Pasuritë e subjektit Vladimir Çilotaj:
Apartament 98 metër katror.
Truall 500 metër katror në Golem.
Pasuritë (ndërtim i paligjshëm) e shtetasit Vladimir Çilotaj, për të cilat ka aplikuar në zyrën e ALUIZNI-it Fier.
Pasuritë e shoqërise “Çilotaj Group ltd” shpk:
Godinë 290.6 m2, në emër të “Çilotaj Group Ltd”.
Godinë 290.6 m2.
Truall 6134 m2 truall dhe 2460.2 m2 ndërtesë.
Truall 3020 m2 në emër të “Çilotaj Group”.
Truall 2000 m2, Golem.
Apartament 98 m2.
Prona e llojit apartament 64.60 m2.
Prona e llojit apartament 98 metër katror
pasuritë e shoqërisë “Ladi 2008” sha:
Pasuria e llojit arë 6000 m2
Pasuria godinë banimi dhe shërbimi 9 kate në lagjen “Hajro Çakërri”, Vlorë.
Pasuritë e subjektit Jonida Çilotaj:
Pasuria 82 metër katror, apartament.
Sekuestrimin e sendeve të luajtshme:
Të gjithë asetet, kapitalet, të drejtat dhe çdo interes pasuror, përfshirë dhe llogaritë bankare aktive të subjektit tregtar “Çilotaj Group ltd”.
Të gjithë asetet, kapitalet, të drejtat dhe çdo interes pasuror, përfshirë dhe llogaritë bankare aktive të subjektit tregtar “Ladi 2008”.
Tre automjete në pronësi të Vladimir Çilotajt.
Automjet në pronësi të Jonida Çilotajt.
12 automjetete në pronësi të subjektit tregtar “Çilotaj” sh.p.k.
15 automjete në pronësi të subjektit “Ladi 2008” sha.
Sekuestrimi i disa llogarive bankare në disa banka të subjekteve të mësipërm.