MENU
klinika

Albanopolisi i harruar...

Qyteti antik, nuk figuron në asnjë guidë turistike!

18.06.2020 - 12:51

       Qyteti antik i Albanopolisit është lënë në harresë prej dekadash. Ndonëse ndodhet në rrugën nacionale Krujë – Fushë-Krujë, ky qytet antik nuk ndodhet në guidat turistike që ngjiten deri në Kalanë e Krujës. Së fundmi, Bashkia e Krujës, së paku ka kositur barin, shumë pak për një monument të tillë të trashëgimisë kulturore.

Albanopolis, qyteti antik shtrihet ndërmjet rrugës nacionale Krujë – Fushë-Krujës, por nuk ndodhet në asnjë guidë turistike.

“Kushti që është tani, nuk afron thuajse asgjë, përveç ca tabelave turistike që janë vendosur” – tha zëdhënësi i Bashkisë Krujë, Drini Masha, për mediet.

Bashkia e Krujës, thotë se ka nisur pastrimin e ferrave dhe heqjen e gardhiqeve.

“Kemi nisur aksionin e pastrimit. Të çfarëdolloj zaptimi që ka në qytetin e vjetër ilir. Ky është hapi i parë, për ta kthyer në një zonë të mirëfilltë turistike” – u shpreh Masha.

Ndër vite, banorët e fshatit Zgërdhesh, kanë dëmtuar monumentin e kulturës, duke hequr gurët e kalasë.

“Ka shumë vite dhe dekada, që është lënë në harresë. Nuk ka munguar edhe prezenca e atyre personave që në thonjëza, e kishin privatizuar qytetin antik”, – tha ai.

Albanopolis është ndërtuar në shekullin 7-6 para erës sonë dhe ishte qendra e fisit Ilir, me emrin Albanë. Edhe atyre pak vizitorëve që shkojnë në Albanopolis, nuk u ofrohet asnjë shërbim.

***
Ky qytet ka qenë kryeqendra e fisit ilir të Albanëve dhe është përmendur për herë të parë gjatë shekullit të dytë. Por, përveç ndonjë studiuesi, shkrimtari apo kërkuesi të pasionuar, si Alban Guri, askush tjetër nuk është kujtuar të shpluhurosë dhe të shkruajë mbi historinë e lavdishme të këtij qyteti, i cili tashmë është lënë plotësisht në harresë, aty në gjysmën e rrugës mes Fushë-Krujës dhe Krujës.

Rrënojat e qytetit antik të Zgërdheshit, që shumë dijetarë i kanë lidhur pashmangmërisht me Albanopolin e vjetër të përmendur nga gjeografi, astronomi dhe matematicieni Ptolemeu, shtrihen në jugperëndim të qytetit të Krujës. Qyteti antik zinte një sipërfaqe prej rreth 10 hektarësh dhe nga të gjitha anët ka qenë i rrethuar me mure të lartë e të fortë. Në cepa kanë qenë të vendosura kulla të larta, që kanë shërbyer si pika vrojtimi që përforconin më tej mbrojtjen e qytetit. Brenda mureve rrethuese mendohet të ketë pasur godina të rëndsishme.

Gjatë gërmimeve të shumta që janë bërë, sidomos para viteve ’90, në qytet është gjetur edhe një varrezë e vogël, ku varret me tjegulla paraqiten në disa variante. Gjatë fushatave të gërmimeve kanë dalë në dritë stoli të shumta bronxi; monedha të prera në Dyrrah, Apoloni, Lisus e Korkyrë; objekte hekuri dhe enë balte, nga të cilat 6 të plota.

Sipas studimeve të profesor Selim Islamit, qyteti ka lulëzuar nga mesi i shekullit të katërt deri në shekullin e parë para erës së re. Gjatë kësaj periudhe, Albanopoli ishte një ndër qytetet më të rëndësishme të Ilirisë dhe kishte marrëdhënie të fuqishme tregtare me qytete dhe treva të tjera.

Nga studimet e ndryshme mendohet se qyteti antik ka filluar rënien, diku pas pushtimit romak. Në këtë kohë ka filluar braktisja nga banorët, të cilët, janë drejtuar drejt një vendbanimi tjetër, që mendohet të ketë qenë Kruja. Por, ky qytet antik, historia e të cilit për t’u rrëfyer do të donte orë të gjata e ndoshta ditë, sot dergjet i zaptuar nga ferrat, bagëtitë dhe gardhet e banorëve të zonës.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Kjo gjuhë sot është e fikur ,e harruar

Arvareshu – kjo gjuhë protosarde ilirike

Filip Shiroka – poeti i dallëndysheve

“Kombi qytetërohet me mësimin e gjuhës”

... e hollë e gjatë si në piktyrë të Botticelli-t"

“Dit’ e verës çkrin dimëri qaset Vera buzëqeshur