MENU
klinika

Pas 3 muajsh, rinis me javën 27

Rikthehet futbolli shqiptar, sot në fushë 10 ekipe

03.06.2020 - 10:25

Pasi kanë dalë përgjigjet negative të testeve nga i gjithë klubi i Bylisit, Kategoria Superiore do të rifillojë sot e plotë me 5 ndeshje, 4 në orën 17:00 dhe një në orën 20:00. Kishte pak ankth pas daljes pozitiv të Eridon Qardakut, por fatmirësisht të tjerët nuk janë infektuar.

Kështu, Bylis-Tirana do të luhet normalisht, në “Adush Muça” të Ballshit, në orën 17:00. Po në këtë orë do të luajnë edhe Flamurtari-Vllaznia, Laçi-Teuta dhe Kukësi-Luftëtari, ndërsa mbyll javën e 27-të kryesfida Partizani-Skënderbeu, që do të luhet në 20:00, në “Selman Stërmasi”.

PËR ÇFARË LUAJNË EKIPET NË 10 JAVËT E MBETURA

Pas gati 3 muajsh, topi i futbollit është gati të rrokulliset sërish në vendin tonë. Po për çfarë luajnë skuadrat, cilat janë objektivat e ekipeve kur mbeten edhe 10 javë? E nisim nga kreu.

Tirana kryeson bindshëm, me 9 pikë para vendit të dytë që mbahet nga Kukësi dhe bardheblutë thjesht u duhet të menaxhojnë këtë avantazh. Tirana e rinis në Ballsh ndaj Bylisit, një transfertë e vështirë, ndërsa Kukësi pret në shtëpi Luftëtarin. Pra, nëse ka luftë për titull, është vetëm mes dy skuadrave.

Gara e vetme e fortë duket se është për vendin e dytë, të tretë dhe ndoshta edhe të katërt, me këtë të fundit që shpreson që ndonjë nga skuadrat e kreut të fitojë Kupën e Shqipërisë dhe sipas formulës, vendi i katërt shkon në Europa League. Më saktësisht, Kukësi, Laçi, Skënderbeu, Teuta, por edhe Partizani, Bylis dhe Vllaznia janë në këtë grumbull skuadrash, teksa i ndajnë 9 pikë nga Kukësi i vendit të dytë deri në Vllazninë e vendit të tetë. Duke hequr Skënderbeun, që është i dënuar të luajë në kupat e Europës, 6 skuadrat e tjera duan Europën.

Ka dhe një garë për të shmangur vendin e tetë që të çon në play-out për të qëndruar në Superligë, pozicion që për momentin e mban Vllaznia, por në këtë luftë sportive rrezikon më shumë edhe Bylis, pse jo edhe Partizani. Sa u përket skuadrave që bien nga Superiorja, tashmë dihet, Flamurtari dhe Luftëtari janë me një këmbë në Kategorinë e Parë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Sezonin e ri, në stadiumin tonë”

Demi “bekon” para kohe Tiranën për titullin