Vendi më i njohur turistik në Itali, Koloseumi, është rihapur këtë të hënë, pas tre muajsh mbylljeje për shkak të pandemisë. Koloseu me mijëra turistë do të mbetet një kujtim tashmë, pasi sipas rregullave të reja, vetëm një numër i kufizuar prej 200-300 vetësh, do të lejohen brenda.
Një tjetër ndryshim është se, vizitat do të bëhen me prenotime, ndërsa turistëve do t’u kontrollohet temperatura, si dhe maskat, do të jenë të detyrueshme.
“Sot, Koloseu rihapet – vendi i zemrës dhe shpirtit, simboli i kulturës, Italisë dhe botës. Ne duam që kjo të jetë një shenjë shprese, paqeje dhe rilindjeje”, – tha drejtoresha e Parkut Arkeologjik të Koloseut, Alfonsina Russo.
Gjatë vitit 2019, rreth 7.5 milion njerëz e vizituan amfiteatrin, duke e bërë atë, një nga monumentet më të vizituara në vend. I ndërtuar nga perandori romak Vespasian, amfiteatri mund të priste deri në 50.000 spektatorë, të cilët, prej aty mund të shihnin përballjet e gladiatorëve, madje edhe ekzekutimet.