MENU
klinika

Nga zëvendësimet, te VAR

Rregullat e reja përçajnë klubet e Premier League

02.06.2020 - 12:11

Edhe pse kanë një pjesëmarrës në Komitetin e Rregulloreve të UEFA-s, Anglia është kundër propozimeve të reja në rregullore. Ndryshimet e propozuar për rifillimin e sezonit kanë revoltuar disa prej klubeve të Premier League angleze që janë kundër zbatimit të tyre.

Plani për të rritur nga 3 në 5 zëvendësime gjatë një ndeshjeje nuk pëlqehet aspak nga trajneri i Brighton, Graham Potter, pasi mendon se aplikimi i kësaj skeme do të prishte integritetin e ekipit.

Opionion që ka marrë miratimin e shumicës së klubeve, pasi gjithashtu kjo do të sillte më shumë ndalesa gjatë lojës dhe rrjedhimisht ulje të tempit të saj. Pro këtij propozimi është klubi i Chelsea! Blutë e Londrës pretendojnë se mundësia e lojtarëve për t’u dëmtuar është më i madh dhe numri i shtuar i zëvendësimeve do të favorizonte trajnerët.

Gjithashtu, një tjetër pikë që pritet të ngjall debate në mbledhjen e së enjtes është dhe numri i topave rreth fushës. Mediat britanike raportojnë se lojtarët do të jenë kundër shtimit të numrit të tyre. Numri i shumtë i topave do të sillte alternative më të mira për të rifilluar shpejt lojën, por njëkohësisht edhe lodhje më të madhe në këmbët e lojtarëve.

Një tjetër rregull që ka gjetur kundërshtim në futbollin anglez është edhe aplikimi i sistemit VAR, me Ligën që i ka kërkuar FIFA-s heqjen e tij për të paktën pjesën e mbetur të këtij sezoni. Rregullat e reja do të hyjnë në fuqi nëse marrin të paktën 14 nga 20 klube me të drejtë vote.