Alpet shqiptare ofrojnë pamje të mahnitshme për syrin e vizitorëve. Duke sjellë pamje nga rruga që të çon në fshatin turistik të Thethit, Administrata e Zonave të Mbrojtura Shkodër shprehet se pamjet flasin vetë.
Jo të gjitha rrugët ju çojnë në Theth, ama, ato që ju çojnë atje, janë magjike. Aksi Shkodër- Malësi e Madhe-Bogë-Qafë-Thore-Theth ia vlen të kalohet për pamjet e mahnitshme që të ndesh syri.
Nga Shkodra, do të kaloni në territorin e bashkisë Malësi e Madhe, do të vizitoni fshatin piktoresk të Bogës. Thethi është magji turistike që duhet përjetuar e ripërjetuar. “Nëse nuk keni vizituar Thethin, të paktën një herë, nuk keni shijuar turizëm malor në Shqipëri”.
Thethi, tabloja me e bukur natyrore, ku vijat e telajos ngjiten dhe zbresin duke krijuar thyer më fantastike të peizazhit e pastaj zbresin si në një kupë në rrafshnajën e Thethit, duke krijuar një shtrojë të gjelbër ku janë ngulur kullat shekullore, ashtu të ngurta prej guri që hahen me malet. Thethi është një fshat në njësinë administrative Shalë, në qarkun e Shkodrës dhe është qendra e Parkut Kombëtar të Thethit.
Bukuritë e papërsëritshme të këtij fshati malor në zemër të Alpeve shqiptare, e bëjnë Thethin, të zërë një vend të rëndësishëm në natyrën dhe turizmin shqiptar.