UEFA është në një udhëkryq. Koronavirusi ka vënë në kontroll të gjitha garat që organizon. Pas shtyrjes së Euro 2020 dhe ndeshjeve të Ligës së Kombeve, drejtuesit e UEFA-s po përpiqen të shpëtojnë të paktën Champions League.
Vende të ndryshme të Europës kanë qasje të ndryshme ndaj pandemisë dhe kjo e bën shumë të vështirë mbylljen e një kalendari futbollistik. UEFA më 17 qershor do të japë planin detajuar. Ndeshjet me vajtje-ardhje po zbehet çdo ditë e më shumë, pasi në Britaninë e Madhe fjala vjen kushdo që hyn, do të karantinoret për 14 ditë.
Kështu që tani për tani opsioni është që çerekfinalet të luhen me tek ndeshje në fusha neutrale ose me short në fushën e njërit prej skuadrave dhe pa spektatorë. Katër skuadrat që arrijnë në gjysmëfinale të udhëtojnë në një qytet dhe sërish me tek ndeshje, ashtu si finalja e 29 gushtit.
Me shumë gjasë, Stambolli është tërhequr nga organizimi i finales dhe mendohet që Lisbona ose Mynihu të presë ndeshjet gjysmëfinale dhe finalen. Idea e tretë, është 8 skuadrat çerekfinaliste të mblidhen në një qytet dhe aty në harkun kohor të dy javëve të përfundojë gjithçka. E njëjta gjë edhe për Europa League.
UEFA është gati të sakrifikojë Ligën e Kombeve, me ndeshjet që duhej të luheshin në shtator, por tashmë duket e pamundur, pasi shumë vende europiane do të fillojnë sezonin e ri në javën e parë të shtatorit, madje Spanja, Franca, Holanda e Belgjika kanë përcaktuar edhe kalendarët. Duke menduar edhe sezonin e ri të Champions dhe Europa League, UEFA-s nuk i mbetet gjë tjetër, të shtyjë Ligën e Kombeve për marsin e vitit të ardhshëm. Në këtë vit vështirë të shohim ndeshje mes kombëtareve.