Ky është Thomas Ormond. Djaloshi me origjinë shqiptare, ka organizuar shfaqje muzikore nga ballkoni i shtëpisë së tij, në Highgate në Britaninë e Madhe, në shenjë falënderimi, për të gjithë mjekët që po luftojnë në vijën e parë të luftës ndaj covid-19.
Gazeta britanike “Ham and High”, ka shkruar se 11-vjeçari shqiptar, përmes shfaqjeve të tij me violinë, ka arritur të grumbullojë 1,000 paund, fonde që do t’u dhurohen mjekëve.
Ai shprehet, se ndihet shumë i lumtur, ndërsa thekson se do ta vazhdojë nismën për të mbledhur të ardhura, për të gjithë personelin mjekësor gjatë periudhës së izolimit.
Për një gjest kaq human, nëna e 11-vjeçarit, shprehet se ndihet krenare që i biri po shfrytëzon kohën dhe talentin e tij, për t’u ardhur në ndihmë njerëzve gjatë kësaj krize pandemike.
“Ndihem shumë krenare që ai po ofron kohën dhe aftësitë e tij, për të bërë diçka në të mirë të njerëzimit”, – është shprehur, Kim.
Ndërsa për Thomasin, mbledhja e fondeve në mënyrën e vetme që ai ka mundësi, është e bukur, sepse do t’i ndihmojnë vërtet shumë, njerëzit dhe mjekët, që të jenë të sigurt në këto ditë të vështira, ndaj ai ndihet i lumtur për këtë fakt.
“Mendova se do të ishte një gjë e bukur, të mbledhësh para për NHS. Ndihem shumë i lumtur dhe krenar që po e bëj këtë për mjekët e infermierët”, – ka thënë vogëlushi.