MENU
klinika

Terma romake shekulli II

Video: Zbulohet qytetërimi antik në Belsh

12.06.2020 - 16:35

        Për herë të parë, pas më shumë se 5 dekadave, zbulohet një qytetërim antik në Shqipëri. Në zonën e Rrasës u gjetën rrënojat e termës romake. Pas filmimeve u kontaktua menjëherë Instituti i Arkeologjisë. Sikurse u shprehën specialistët, ky vendbanim nuk ka qenë i dokumentuar, fotografuar, apo filmuar kurrë më parë, ndaj ata kanë premtuar nisjen e një ekspedite.

Kamera e ReportTv zbulon për herë të parë një qytetërim antik në Rrasë, 3 km larg qytetit të Belshit. Duke punuar tokën për kultivimin e duhanit, një familje e zonës ka zbuluar këto rrënoja antike, që dëshmojnë për banimin e këtyre zonave që në shekullin e dytë.

Teksa panë disa prej filmimeve, specialistët thanë se ky zbulim është një termë antike e shekullit të dytë, e panjohur për sytë e publikut, deri më tani. Terma, sipas arkeologëve, ngjason me ato të Butrintit dhe Dyrrahut të vjetër – Durrësit.

Ky zbulim do të sjellë për herë të parë, ndërtimin e një guide arkeologjike në Belsh, i njohur deri më tani për liqenet dhe vendbanimin ilir në malin e Gradishtës, zbuluar nga familja Ceka, arkeologu Hasan Ceka vazhduar më tej dhe nga i biri, Neritan Ceka.

Filmimet tregojnë se baza e rrënojave, fatmirësisht të padëmtuara, janë kolona cilindrike rrethore me qeramikë, pllaka qeramike për shtresën e ndërtesës dhe themele me gurë.

Ajo çka mbetet pas këtij zbulimi është ndërhyrja e institucioneve si ministria e Kulturës, qeveria apo institucionet që ky zbulim i rrallë, të mbrohet e të marrë vlerat që meriton, për t’u kthyer në një atraksion turistik për zonën.

Së fundi, Belshi është kthyer në një qytet turistik, për 85 liqenet që ka zona, por ky zbulim pritet të sjellë një tjetër risi të turizmit, atë historik dhe arkeologjik.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Kjo gjuhë sot është e fikur ,e harruar

Arvareshu – kjo gjuhë protosarde ilirike

Filip Shiroka – poeti i dallëndysheve

“Kombi qytetërohet me mësimin e gjuhës”