MENU
klinika

Nuk gjetën dot partnerë shqiptarë

VIP-at e martuar me të huaj

13.06.2020 - 18:15

Të shumtë kanë qenë VIP-at shqiptarë, që dashurinë e kanë gjetur larg Shqipërisë. Disa prej tyre kanë ndjekur zemrën e tashmë jetojnë jashtë vendit, por ka pasur edhe nga ata që kanë sjellë partnerët e tyre në Shqipëri për të ndërtuar një jetë nga e para. Më poshtë po ju listojmë vetëm disa prej tyre.

Sam Nazarian dhe Emina Çunmulaj

Emina vetëm pak kohë më parë tregoi publikisht se historia e saj e dashurisë nuk kishte filluar në mënyrën më romantike të mundshme. Megjithatë, gjërat shpejt ndryshuan dhe çifti u martua në 2015-ën. Tashmë ata janë prindër të dy vajzave, Ella Faria dhe Mia Soraya dhe duken më të dashuruar se kurrë teksa jetojnë në Los Anxheles.

Anjeza Shahini dhe Paul Edward Conolly

Anjeza Shahini braktisi karrierën për dashurinë. Ajo u martua me diplomatin anglez në 7 shtator 2015, në një ceremoni përrallash në Toskanë të Italisë dhe që prej asaj dite jetojnë në Londër.
Lorik Cana dhe Monica Ercoli

Në media ai shpesh kishte deklaruar se bashkëshorten do ta merrte shqiptare, por duket se nuk shkoi tamam kështu. Bindja me sytë e kaltër bëri që kapiteni legjendar i Kombëtares të dashurohej marrëzisht dhe të martoheshin. Çifti tashmë jeton në Tiranë dhe janë prindër të dy fëmijëve.
Almeda Abazi dhe Tolgahan Sayışman

Ylli i telenovelave turke dhe “miss”-i shqiptar prej vitesh jetojnë një histori të bukur dashurie. Ndonëse jetojnë në Turqi, Tolga ka mësuar disa fjalë shqip dhe shpeshherë ai ndjehet krenar për origjinën e bashkëshortes së tij. Si një nga çiftet më të pëlqyer edhe në Turqi, dyshja duket se jeton ditë plot lumturi.

Kledi Kadiu dhe Charlotte Lazzari

Balerini i famshëm i çuditi të gjithë teksa prezantoi partneren e tij disa vite më të re. Tashmë çifti ka edhe një vajzë, Lea. Jeta e tyre vijon krejt normalisht në Itali, ndonëse shpesh Kledit i duhet të rikthehet në vendlindje.
Ilir Shaqiri dhe Emanuela Morini

Një tjetër emër i njohur i baletit shqiptar që ka ndërtuar një karrierë të suksesshme në Itali është edhe Ilir Shaqiri. Edhe ai ka zgjedhur për bashkëshorte një shtetase të huaj, aktoren Emanuela Morini. Çifti janë prindër të një vajze, e cila gjithashtu është në gjurmët e babait.
Afërdita Dreshaj dhe Jakub Kindl

Supermodelja e njohur dhe lojtari i hokeit u martuan para dy vitesh. Pas një propozimi romantik dhe një dasme mbresëlënëse, ata tashmë vijojnë karrierën në SHBA.
Anxhela Martini dhe Dragos Savulescu

Çifti shpesh ka treguar se me njëri-tjetrin kanë një histori pasionate dhe një martesë. Dyshja zgjodhi të martohej në Las Vegas, ku modelja u shfaq me një fustan të zi. Ndonëse shpesh janë përfolur për një ndarje, ata kanë treguar se marrëdhënia mes tyre është gjithnjë e njëjtë.