Nëse nuk ka një përgjigje të shpejtë për zhvillimin e kampionatit nga autoritetet shëndetësore, volejbolli shqiptar do të deklarojë sezonin e mbyllur dhe pa fitues. Ky është qëndrimi i Asamblesë të mbledhur të premten.
“Nëse ministria nuk do të na japë leje, atëherë do të marrim një vendim për ta mbyllur kampionatin, pasi koha nuk premton. Federata Shqiptare e Volejbollit do të presë deri më 23 qershor përgjigje, më pas do të ishte vonë edhe për një fazë të cunguar play-off” – u shpreh presidenti i FSHV, Erli Pëllumbi.
Në asamble u vendos edhe për ndryshimin formatit të kampionatit, duke krijuar Superligën prej sezonit 2021-2022. Në këtë mënyrë Federata Shqiptare e Volejbollit pret më shumë sponsorë dhe shikueshmëri në pallatet e sportit.