MENU
klinika

Ende në pritje të përfundimit

‘Zgjedhorja’: 6 propozime të opozitës në tryezën e diskutimeve

03.06.2020 - 18:51

Vazhdon dita e dytë e negociatave për reformën zgjedhore, tashmë nën drejtimin e ambasadorëve të SHBA, BE dhe Britanisë së Madhe. Edhe sot katërshja e tryezës së dialogut politik është mbledhur në rezidencën e ambasadores amerikane Yuri Kim.

Takimi i nisur në 11:00 u ndërpre rreth mesditës, për t’u dhënë mundësi palëve të konsultoheshin me drejtuesit përkatës.

Gjatë kësaj pauze socialisti Damian Gjiknuri iu drejtua Kryeministrisë, ndërsa dy përfaqësuesit e opozitës jashtëparlamentare, Bylykbashi dhe Vasili, shkuan në selinë e Partisë Demokratike, ku më pas mbërriti edhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.

Palët kanë në tryezë një propozim me 6 pika nga opozita e bashkuar. Propozimi i parë ka të bëjë me qendrat e votimit dhe identifikimin biometrik të votuesve. Sipas opozitës, palët bien dakord për të zbatuar identifikimin biometrik në të gjithë Shqipërinë. Sa i përket qendrave të votimit, opozita ka propozuar një formulë edhe për përbërjen e tyre, me 3 komisionerë të propozuar nga partitë politike me fuqi vendimmarrëse, të cilët do të trajnohen nga KQZ. Ndërsa 4 komisionerë, me fuqi vëzhguese, do të emërohen drejtpërdrejt nga partitë.

PD është tërhequr nga propozimi i saj duke pranuar variantin e PS për riformulimin e KQZ, por PD kërkon të propozojë kandidatin për kryekomisioner. PD dhe aleatët sugjeron që trupi i apelimit të ketë 5 anëtarë, trupi rregullator të ketë nga 3 deri në 5 anëtarë, ndërkohë kërkohet që KQZ të ruajë të drejtën për të urdhëruar rinumërim të pjesshëm.

Opozita kërkon edhe një rikompozim të qendrave të numërimit. Bie dakord me formulën e komisioneve të numërimit me 1 anëtar të propozuar nga KQZ ose 3+3 vëzhgues të vënë nga partitë politike në tavolinë, ose 4 përfaqësues të propozuar nga partitë më të mëdha politike në vend. Opozita është tërhequr nga propozimi që ankimimi të ndodhte në Kolegjin Zgjedhor me gjyqtarë që nuk e kanë kaluar procesin e vetting-ut, por ankimi të ndodhë në Gjykatën Kushtetuese, pra me gjyqtarë që e kanë kaluar procesin e vetting-ut.

Ambasadorja amerikane, Yuri Kim, ka njoftuar një tjetër komunikim me median pasditen e sotme. Ndërkohë mbrëmë, pas 9 orë negociatash, së bashku me kolegët e saj që përfaqësojnë Brukselin dhe Londrën, Kim theksoi se reforma zgjedhore duhet të mbyllet sot dhe se duhej hequr dorë nga kërkesat që binin ndesh me rekomandimet e ODIHR.(A2)