MENU
klinika

Bedri Islami

A e kanë braktisur amerikanët Hashim Thaçin?

22.07.2020 - 10:27

Në çastin kur presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ishte në rrugëtim drejt Shteteve të Bashkuara për të qenë pjesë e takimit në Shtëpinë e Bardhë, ndoshta jo rastësisht për nga koha e zgjedhur dhe, më tej, tejet tendencioz në shfaqjen e tij, Prokurori i Specializuar njoftoi se ndaj tij, Presidentit Thaçi dhe liderit të PDK-së, Kadri Veseli, që nga data 24 prill i ishte dërguar Dhomave të Specializuara të Gjykatës së veçantë, aktakuza, përmes së cilës, më tej se një njoftim i zakonshëm, rëndesa politike dukej aq qartë, sa që kishte arritur qëllimin e zyrës prokuroriale për të bërë të ditur qëndrimin paraprak.

Tani dihen se si kanë rrjedhur gjërat; për katër ditë radhazi presidenti i Kosovës ishte i pranishëm në Hagë, në seanca të gjata, të cilat, ashtu si edhe mund të mos pritej, pak ose aspak kishin patur të bënin me çështjet e ngritura nga një ish politikan zvicerian, i cili kishte marrë dosjen e plotë, ashtu si edhe prokuroria, nga një strukturë jashtë tyre, prokuroria serbe, çka, me mburrje e bëri të njohur vetë Prokurori special serb.

Është ditur se burimet serbe ishin në duart e Dick Martyt dhe të Karla del Pontes, ashtu si kjo e fundit, para se t’i dorëzonte në strukturat përkatëse ia niste kolegëve serbë, apo, si nuk kishte ndodhur askund tjetër, ish prokurori ndërkombëtar në Kosovë për hetimin e krimeve të luftës, sapo mbaroi mandatin, shkon më tej ,në Beograd dhe emërohet zëvendës i prokurorit serb që sot mburret se ata e përgatitën dosjen Thaçi.

Lobe të fuqishme proserbe, nisur nga struktura të rëndësishme ruse, nuk u vunë rastësisht në lëvizje pikërisht kur Uashingtoni po merrte përsipër një rol të ri, ndoshta më ndryshe dhe me të vrullshëm se sa politika evropiane, ashtu si nuk ka qenë e zakonshme një shpallje pas dy muajve e një prokurori, që krejt mirë e di se cilat janë procedurat e zakonshme.

Lëvizja e tashme duket më shumë një larje hesapesh, në një kohë të papërballueshme lehtë, mes dy forcave politike , andej e këndej Atlantikut, të cilat nuk e kanë parë njëjtë gjendjen në Kosovë.

Të duket sikur ka një pasgoditje politike evropiane, e cila, qofsha i gabuar, ka dashur të thotë se , nëse heqja e Albin Kurtit, ku ishte e ndjeshme dora amerikane, është vepër e juaja, tani radhën e kemi ne, heqim njeriun tuaj, Hashim Thaçin, figurën tuaj kryesore, përmes së cilit kanë ndodhur lëvizje të mëdha politike. Duket si një shkëmbim goditjesh në tisin e politikës, të cilat mund të shfaqen të plota shumë më vonë.

A e ka braktisur Amerika njeriun e saj të dorës së fortë, Hashim Thaçin?

Për më shumë se 20 vite Thaçi ka qenë njeriu kryesor i Shteteve të Bashkuara në Kosovë. Ka qenë porta e mendimit të tyre politik, e veprimeve praktike, e bashkëpunimit të frytshëm, por edhe e disa përplasjeve, të cilat, edhe pse nuk janë zgjidhur kurrë përfundimisht, përsëri nuk krijuan hendek të madh mes tyre.

Që nga Konferenca e Rambujesë, kur gjithçka, ose thuaj gjithçka u përqendrua tek Thaçi, i cili kryesonte delegacionin shqiptar dhe që po kundërshtonte draftet e paraqitura, duke refuzuar nënshkrimin, kur anëtarët e tjerë kishin ditë që kishin përgatitur valixhet, figura politike e këtij njeriu enigmë u bë e domosdoshme. Shefja e diplomacisë amerikane, Zonja Ollbrajt do e cilësonte më pas si “negociatorin më të vështirë që kishte pasur në jetën e saj diplomatike”, do të ishte “kumbara” e hyrjes së tij, jo vetëm në Departamentin e Shtetit, por edhe zyrën ovale të Shtëpisë së Bardhë.

Katër presidentë amerikanë, Klinton, Bush junior, Obama dhe Trump, do e kishin atë njeriun çelës, të paprekurin nga kritikat, të veçantë dhe të domosdoshëm në momentet më të vështira. Edhe kur dukej se nuk do të kishte asnjë zgjidhje tjetër. Përmes presidentit Klinton do të ishte Kosova shtet i lirë, ndërsa në presidencën Bush junior do të shpallej shtet i pavarur.

Për shumë kohë është folur, jo vetëm në media, por edhe lart, në qarqet politike se, si askush tjetër, Thaçi është njeriu i mbrojtur nga amerikanët, dhe, herë – herë është supozuar se lëshimet e tij kanë të bëjnë me garancinë e dhënë nga SHBA se do të ishte imun ndaj Gjykatës Speciale, të cilën deputetët e kishin miratuar nga këmbëngulja e Thaçit, dhe herë tjera, akuzat do të ishin shumë më të hapura, më të drejt për drejta, sipas të cilave, gjithçka që po bënte Hashim Thaçi, në marrëveshje me amerikanët, qoftë edhe falja e territoreve, shkëmbimi i tyre, kishte të bënte me garancinë që kishte Ai nga struktura të fuqishme amerikane se, jo vetëm tani, por edhe në të ardhmen, si askush tjetër, ai do të ishte i paprekur në folenë e tij presidenciale apo vetjake.

Amerikanët, deri në shkurt – marsin e vitit 1998 kishin pasur Rugovën njeriun e tyre të domosdoshëm. Do të vinte një ditë, fillim viti 1998, kur i brishti i Kosovës, si e quante Hollbrook, që nuk po lëvizte nga vendi, duhej spostuar, për aq kohë sa i duhej atyre, për të gjetur një figurë të re, që, edhe pse nuk e kishte fjalën, kishte armën. Dhe koha e armës kishte ardhur.

Tani jemi në një gjendje të re, të pamenduar nga kundërshtarët politikë të Thaçit, të përgatitur me kujdes nga prokurorët serbë, dhe të shërbyer në një pjatë të ftohtë nga njerëzit e saj në Kosovë. Miti, sipas të cilit gjithçka që po bën Thaçi, të gjitha lëshimet politike- nëse ka pasur; të gjitha marrëveshjet dëmtuese – nëse kanë ndodhur, kanë pasur të bëjnë me garancinë se atij nuk do i ndodhë asgjë, ka rënë.

Kam qenë në dijeni të presionit që bënin struktura amerikane dhe evropiane ndaj zotit Thaçi për të miratuar sa më shpejt, në nivelin më të lartë të mundshëm, pjesë të Kushtetutës së Kosovës, krijimin e Gjykatës Speciale, ashtu si e di se asnjëherë, në bisedimet e zhvilluara, nuk është nisur as si fillesë qëndrimi ndaj figurës së tij në raport me ngritjen e Dhomave të Specializuara.

Ka qenë ndoshta momenti kur ndërlidhjet mes tij dhe mbështetësve të tij jashtë Kosovës të këputeshin, të krijoheshin hendekë të ndjeshëm dhe ndoshta të pakapërcyeshëm më, por rrjedha do të ishte normale.

Si të gjithë politikanët normalë, edhe Thaçi ishte dakord me ngritjen e kësaj Gjykate, duke kërkuar që të mos kishte përjashtime etnike, shqiptarët veçmas të akuzuar dhe, nga ana tjetër, serbët mbi të cilët kishte rënë abuzimi. Mungesa e mendimit të qartë politik shqiptar në Kosovë, për të qenë shumë hapa para strukturave serbe, solli gjendjen e njohur, kur akuzat monstruoze, të pamenduara, si ajo e Shtëpisë së Verdhë, ku ka ende medialë shqiptarë që e njohin si të vërtetë, kur numri i mjekëve shqiptarë në UÇK ishte aq i paktë dhe tejet më i paktë ai i kirurgëve që nuk kishin as mjete të zakonshme, dhe ku , veç fantazisë dhe trillimit, nuk ka asnjë fakt të vërtetë, sepse nuk ka pasur asnjë ngjarje e tillë.

Diplomacia amerikane është ndodhur edhe ajo në të papriturën e saj përballë njoftimit të prokurorit të Specializuar. E mësuar të respektojë pavarësinë e sistemit të drejtësisë , ajo, nëse do të kishte qenë sado pak në dijeni, nuk do të kishte përgatitur takimin e lartë, ndoshta nga më të rëndësishmit të pas luftës në Kosovë, e po ashtu nuk do të kishte ndërmarrë gjithë atë punë paraprake dhe njohëse. Duke qenë asnjanëse në proceset që mund të zhvillohen, por që kanë pesë vite jetë dhe hulumtime ajo asnjëherë nuk ka bërë marrëveshje të fshehta me liderë të veçantë, por i ka kushtuar vëmendje figurës së gjithë secilit. Mbi të gjitha Hashim Thaçit.

Kjo vazhdon edhe tani.

Heshtja e diplomacisë amerikane nuk do të thotë miratim i një procesi që shpall fajtorë të akuzuarit që ende nuk janë gjykuar dhe as nuk ishin thirrur ende nga Dhomat e Specializuara, rasti Thaçi; nuk bëhet palë në zgjidhjen e rebusi të vështirë politik, por, ndryshe nga sa mund të veprojnë struktura paneuropiane të vendeve të veçanta, që mbështetin liderë, por jo ide dhe vizione, duke i ndarë si ngastrat, ku është i imi dhe ai tjetri është i yti, mendimi politik amerikan, edhe pasi u bë e njohur hapja e “çështjes Thaçi, Veseli dhe të tjerë”, nuk ka anatemuar dhe as nuk ka bërë shkëputje nga institucioni i presidentit dhe nga vetë ai.

Është e vërtetë se Kosova ndodhet para një gjendjeje të re, kur shumë nga drejtuesit kryesorë të luftës në Kosovë, sidomos nga tri zonat kryesore, Drenicë, Dukagjin dhe Llap mund të përballen me akuza të rënda, por jo rrallë herë ngritja e akuzave me burim serb ka qenë e rreme, tinëzare, e sajuar dhe e ngritur mbi mashtrimin, si art i politikës serbe.

Dhe kjo nuk ka të bëjë me heshtjen e diplomacisë amerikane; gjendja në Kosovë, edhe nëse do të shkohet më tej në ngritjen dhe miratimin e aktakuzave, do të vazhdojë të jetë vëmendja e saj, dhe, nëse në 20 vite e më tepër, bashkëpunimi mes saj dhe Hashim Thaçit, nuk ka të bëjë me atë që ngrihet sot.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Bedri Islami/ Dëshmia në Hagë

Aktakuza/ Tre qëndrime ndaj çështjes Thaçi