MENU
klinika

"Mos e prano, rolin e Millosheviçit"

Aktorja nga Kosova i nis letër të hapur, aktorit me famë botërore

27.07.2020 - 11:50

        Aktorja e njohur nga Kosova, Aurita Agushi, i ka dedikuar një letër të hapur aktorit të njohur, Harvey Keitel. Këtij të fundit, thuhet se i është propozuar që të luajë rolin e komandatit Sllobodan Millosheviç, në një film (prodhim serb) që do të tregojë historinë e të ashtuquajturës “shtëpia e verdhë”.

Në letrën e saj, aktorja i kërkon Keitel-it, që të mos e pranojë rolin, pasi ishte thjesht një propagandë e pastër serbe, me qëllim injorimin e një populli të tërë.

“Populli shqiptar ka qenë viktimë e regjimit të Millosheviçit, i njohur edhe si Kasapi i Ballkanit. Ju lutem mos e bëni, sepse do të vrisni shpirtërisht mbi 13.000 viktima, mes e tyre fëmijë, të rinj, gra shtatzëna dhe të moshuar.  Frika ime më e madhe gjatë luftës, ka qenë se mund të dhunohem në sy të babait dhe vëllezërve të mi. Dhe për më tepër, thurja plane me mendje për një vdekje të shpejtë, që një gjë e tillë mos të më ndodhte,”- shkruhet ndër të tjera, në letër.

Letra e plotë:

I dashur Harvey Keitel, po dëgjoja lajmet e RTK-së sonte dhe emri yt, u përmend për një angazhim të mundshëm tuajin në një film propagandues serb, për të ashtuquajturën shtëpi inekzistence “Shtëpia e verdhë“, ku kinse shqiptarët kanë kryer krime mbi popullatën civile serbe.

Realiteti është krejt ndryshe, i dashur Harvey. Populli shqiptar ka qenë viktimë e regjimit të Millosheviçit, i njohur edhe si Kasapi i Ballkanit. Unë e di që mua, nuk më takon të të them se çfarë të luash e çfarë jo. Por, tani bëhet fjalë për një puro propagandë të shtetit serb.

Shumë i dashur Harvey, une jam aktore vetë dhe shpesh herë, keni qenë frymëzim për mua. Por, ju lutem shumë, mos e bëni një gjë të tillë, sepse do ta lëndonit një popull të tërë. Do ta lëndonit një popull, i cili, i rrezikohej nga spastrimi etnik. Ju lutem mos e bëni, sepse do t’i lëndoni mbi 13.000 civilë shqiptarë të vrarë, në mesin e tyre fëmijë, të rinj, gra shtatzëna dhe të moshuar. 

Do t’i lëndonit, mbi 20.000 gra të dhunuara. Do t’i lëndonit, 1.653 familjet e personave të pagjetur, që ende nuk e kanë një varr ku t’i qajnë të afërmit e tyre. Gjatë gjithë luftës kam qenë në Kosovë dhe e dini, cila ka qenë frika ime më e madhe, i dashur Harvey ?! Jo nga vdekja, sepse në luftë njeriu edhe mund të vritet, por frika ime më e madhe ka qenë se mund të dhunohem në sy të babait dhe vëllezërve të mi. Dhe për më tepër, thurja plane në kokën time, për një vdekje të shpejtë, që një gjë e tillë mos të më ndodhte.

Ju kujtoj, i dashur Harvey, që NATO ndërhyri në vitin 1999, që të shpëtojë një popull nga spastrimi etnik dhe që të mos përsëritej një Srebrenicë e dytë.  Andaj, shumë i dashur Harvey, të lutem mos e bëj, sepse nuk të bën aspak nder, një film propagandues i një regjimi që bëri tre luftra brenda 10 viteve në Ballkan, duke lënë me qindra mijëra varre pas vetes.

Me përulësi

Aurita Agushi, aktore nga Kosova.

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe