NBA po përpiqet të ristartojë më 30 korrik, por çdo ditë thuajse vijnë lajme jo të mira sa i përket situatës me Covid-19. Nga 322 teste të kryera menjëherë pas mbërritjes së 22 skuadrave në Orlando, dy basketbollistë kanë rezultuar pozitivë me koronavirus.
Ky ka qenë ky verdikti i testeve të para anti Covid të kryera nga NBA në Orlando, aty ku nga 30 korriku do të rinisë sezoni 2019-2020, i ndërprerë që në mars për shkak të koronavirus.
NBA ka konfirmuar lajmin, pa bërë me dije emrat e dy basketbollistëve që kanë dalë pozitivë. Pas këtyre dy rasteve është zbatuar protokolli i sigurisë. Dy lojtarët kanë hyrë në izolim dhe janë nën kujdesin e mjekëve.
NBA sqaron gjithashtu se të dy lojtarët nuk kanë dalë nga dhomat e tyre, duke respektuar karantinën 48-orëshe që të gjithë basketbollistët do të kryenin pas mbërritjes në Orlando. Ata do të rikthehen në stërvitje vetëm pasi të dalin negativë dy tamponë njëri pas tjetrit, në harkun kohor të 24 orëve.
Gjithashtu, ata do të kalojnë edhe një test-kardiak dhe pasi të marrin “OK”-in e stat mjekësor do të qëndrojnë edhe 48 orë në karantinë. Çdo ekip ka të drejtë t’i zëvendësojë basketbollistët që dalin pozitivë me lojtarë të tjerë, por ata nuk mund të rikthehen më këtë sezon.