*Stamboll
-KÜBRA KARA
Arkitekti turk Mehmet Emin Yılmaz ka kryer një hulumtin mbi monumentet osmane në territorin e shtetit të dikurshëm osman dhe ka zbuluar se gjithsej 329 xhami, faltore, teqe, tyrbe dhe monumente të tjera kulturore osmane në 18 vende janë shndërruar në kisha.
Gjatë dhjetë viteve të fundit, Yılmaz ka udhëtuar në vende që dikur ishin pjesë e shtetit osman dhe ka identifikuar dhe numëruar objektet osmane që janë shndërruar në kisha, përfshirë minaret që janë shndërruar në kulla kambanash.
Duke folur për Anadolu Agency (AA), ai tha se kërkimet i ka filluar në Ballkan dhe më pas është përqendruar në Hungari, Bullgari dhe Greqi, ku gjenden shumica e objekteve osmane, të cilat me kalimin e kohës janë shndërruar në kisha.
“Objektet turke janë kthyer në kisha për arsye politike dhe hapësinore-demografike. Minaret dhe xhamitë në qendrat e qyteteve të mëdha ishin një simbol i Islamit dhe qeverisjes osmane në atë kohë dhe ishin objektivi i parë që u shkatërruan pas rënies së shtetit osman. Vetëm në një natë në vitin 1878, shtatë minare u shkatërruan me dinamit në Sofje”, tha Yılmaz.
Në Greqi, më shumë se njëqind ndërtesa osmane janë shndërruar në kisha dhe kulla këmbanash, përfshirë 74 xhami, 19 tyrbe, një imaret, një faltore dhe pesë minare.
Ai theksoi se disa nga ato objekte janë shndërruar në kisha për arsye të thjeshta hapësinore-demografike, sepse lagjet përreth xhamive ishin të banuara nga të krishterët.
“Më shpesh, në kisha janë shndërruar xhamitë dhe faltoret dhe unë kam regjistruar 272 raste të tilla. I njëjti fat u ndodhi teqeve, tyrbeve, hamameve dhe objekteve të tjera të arkitekturës osmane” tha Yılmaz.
Ai shtoi se në përgjithësi, në objektet në fjalë, po ashtu janë fshirë të gjitha gjurmët klasike osmane.
Yılmaz gjithashtu tha se xhamitë dhe faltoret janë ndërtuar me murin kryesor në drejtim të Kiblës dhe falë kësaj veçorie, ai ka zbuluar Xhaminë e Mustafa Pashës, e cila sot është një kishë në Budapest.
Nga ana tjetër, ai thotë se në rastet e ndryshimit të qëllimit të ndërtesave në Turqi, nuk ka pasur ndonjë ndryshim të rëndësishëm në arkitekturën dhe karakteristikat themelore të atyre ndërtesave.
“Asnjë komb nuk respekton arkitekturën e ndërtesave aq sa turqit. Pa asnjë kompleks nga e kaluara, turqit nuk ndryshuan karakteristikat e ndërtesave që ishin shndërruar në xhami. Shembulli më i mirë i kësaj është Ayasofja. Që nga viti 1453, ne e kemi ruajtur si sytë e ballit dhe nuk kemi ndërhyrë në tiparet e saj kishtare. Ne vetëm kemi shtuar mihrabin, minberin dhe minaret. Nga pamja e saj sot mund të konkludoni se dikur ishte kishë. Kështu është edhe në brendësi. Nga ana tjetër, evropianët që i kthyen xhamitë në kisha shkatërruan të gjitha tiparet origjinale”, tha Yılmaz./ Marrë nga Anadolu Agency