MENU
klinika

Ja mosmarrëveshjet që po ndajnë udhëheqësit e BE

“Ata u larguan të mërzitur”/ Ç’ndodhi mes Merkel e Macron?

19.07.2020 - 16:58

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian u përpoqën të dielën për të tretën ditë radhazi të arrinin një marrëveshje stimulimi për të luftuar pasojat e koronavirusit, por Kancelarja Gjermane Angela Merkel tha se shtimi i grindjeve lidhur me nivelin e shpenzimeve nuk do të jetë e lehtë për t’u kapërcyer.

 

Gjermania dhe Franca, po kërkojnë një paketë të rimëkëmbjes ekonomike prej 1,8 trilionë euro, për të shpëtuar ekonomitë e bllokut që përballen me recesionin më të rëndë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Çështjet më të debatueshme janë përmasat e fondit të ri të rimëkëmbjes dhe në çfarë proporcionesh duhet të jenë grantet dhe kredirtë.

Disa shtete më të pasura si Hollanda, po kërkojnë që paketa të jetë më e kufizuar, duke nxjerrë në pah se sa të thella janë ndarjet veri-jug brenda Bashkimit Evropian.

Ndërkaq, samiti përballet me vështirësi për të arritur marrëveshje rreth përmasave të kompensimeve që vendet më të pasura marrin nga buxheti i BE-së si dhe rreth një mekanizmi të ri të propozuar për sundimin e ligjit, i cili mund të bllokonte fondet e BE-së për vendet që shkelin parimet demokratike.

Kryeministri i Greqisë Kyriakos Mitsotakis, vendi i të cilit sapo kishte filluar ta rimerrte veten nga kriza 10-vjeçare e borxhit kur u godit nga pandemia, bëri një thirrje për unitet, duke thënë se nuk është në interesin e BE-së të duket e përçarë dhe e dobët. “Sinqerisht shpresoj se sot do të mund ta thyejmë bllokimin,” u tha ai gazetarëve në Bruksel.

Udhëheqësit, të cilët mbanin maska në fytyrë e kanë quajtur samitin një moment kyç për integrimin evropian gati 70-vjeçar. Zyrtarët dhe ekspertët kanë thënë se mosarritja e një marrëveshjeje, në një atmosfere të paparë krize ekonomike, do të shtronte pyetje serioze rreth qëndrueshmërisë së bllokut.

“Ka shumë vullnet të mirë, por edhe shumë pozicione (të pandryshuara). Unë do të bëj çdo përpjekje por ekziston mundësia që të mos arrihet rezultat,” tha zonja Merkel.

MOSMARRËVESHJET BRENDA BLLOKUT

Kryeministri Hollandez Mark Rutte, i cili përballet me zgjedhjet parlamentare në mars 2021, foli hapur për ndarjet me Francën dhe Gjermaninë të shtunën mbrëma. “Ata u larguan të mërzitur”, tha ai për Kancelaren Merkel dhe Presidentin francez Emmanuel Macron.

Ndërkaq, Hungaria, e mbështetur nga aleatja e saj Polonia, të dyja me qeveri populiste, kanë kërcënuar se do të përdorin veton për të bllokuar paketën e ndihmave si rezultat i një parakushti se vendet që gjykohen se po shkelin parimet demokratike nuk do të përfitojnë me fonde.

Polonia dhe Hungaria kanë krijuar konfrontime me Brukselin për shkak të reformave gjyqësore, të cilat shihen nga pjesa tjetër e bllokut si goditje ndaj pavarësisë së gjykatësve.

Kryeministri hungarez Viktor Orban tha se zoti Rutte ka një mëri personale ndaj tij. “Nuk e di se cila është arsyeja personale kryeministri holandez të më urrejë mua ose Hungarinë, por ai po sulmon mjaft ashpër … Nuk më pëlqejnë lojërat për t’i hedhur fajin njëri-tjetrit, por holandezi është personi i vërtetë përgjegjës për tërë këtë rrëmujë,” u tha zoti Orban gazetarëve.

Përplasjet para takimit u pasuan nga paralajmërime të kryeministrit italian Giuseppe Conte se projekti BE në vetvete do të kërcënohet nëse vende më të pasura veriore nuk ndihmojnë me zemërgjerësi vende më të varfra të jugut të kontinentit. Në Itali janë rritur qëndrimet armiqësore dhe revoltimi ndaj BE-së për mungesën e mbështetjes nga vende të tjera gjatë pandemisë.

Në vend që të krijonte solidaritet, pandemia dhe goditja ekonomike që rezultoi prej saj kanë thelluar çarjet brenda grupit për tema si mbrojtja, politikat e jashtme dhe imigracioni. Pabarazia ekonomike mes vendeve anëtare pritet të rritet, pavarësisht nga miratimi apo jo i paketës së ndihmave.

Vendet më të pasura kanë miratuar paketa kombëtare për të mbështetur bizneset e tyre, duke u dhënë atyre një avantazh edhe më të madh konkurrence me vendet më të varfra që nuk kanë arritur të japin subvencione të ngjashme. Kjo, thonë analistët, do ta thellojë hendekun mes vendeve veriore kredi-dhënëse dhe vendeve të varfra të jugut.

Rimëkëmbja e mangët ekonomike në disa vende ka nxitur elementët populistë dhe ndjenjat anti-BE. Paketa e ndihmave mund t’i zbusë këto ndjenja përkohësisht, por mund të krijojë revoltim ndaj politikave të BE-së në vende veriore, ku popullata gjithnjë e më shumë bën pyetjen: përse ikin paratë tona drejt vendeve të Evropës së jugut?/VOA

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Ç'mendon në të vërtetë Trump për liderët europianë?

“Gjithçka që Macron prek, kthehet në m*t”