Në skuderinë Ferrari në Formula 1 këtë sezon ka shumë dritëhije. Dhe gjithë vëmendja tashmë është nga ardhmja, pasi Botërori 2020 është një mision i pamundur. Kur përmend të ardhmen, nuk mund të mos lakohet Mick Schumacher, djali i legjendës Michael Schumacher.
Mick aktualisht vazhdon rrugëtimin e tij në Formula 2, ku zë pozicionin e katërt në renditjen e pilotëve, me shpresën që të fitojë një vend në Formula 1 sa më shpejt që të jetë e mundur. Por ai që frenon është drejtori sportiv i Ferrarit, Mattia Binotto:
“Mick po shkon mirë, ai është sigurisht më konkurrues se vitin e kaluar. Po tregon përparimin e tij, ka treguar rritje të mirë që nga fillimi i sezonit, ka pasur disa episode fatkeqe, por nëse shikojmë rezultatet e tij, atëherë mund të themi se ai ka bërë mirë. Do të vijë në Formula 1 kur ne e konsiderojmë të mjaftueshme përparimin e tij. Do të vendosim të ardhmen më vonë në sezon.”
Pas titullit botëror të marrë në Formula 3 në 2018 në krye të ekipit Prema, debutimi në Formula 2 renditi të riun Schumacher në vend të 12-të. Një rrugë e gjatë për pilotin e Akademisë të Ferrarit, që ëndërron të ndjekë hapat e babait Michael.
Por Mick mund të garojë vitin tjetër në Formula 1 me Alfa Romeo, pasi po e vëzhgon. Një lajm i mirë për Ferrrin është se pas 15 vitesh rikthehet në Formula 1 gara e Çmimit të Madh të Imolas në Itali. Një pistë të cilën ekipi i kokëkuqes e njeh mirë, pasi kryen teste. Data 1 nëntor shihet si mundësia për të garuar.